E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Europian i Tiranës hedh kapelet e para

 

“Sot ndihemi krenarë. Vetëm për tre vjet kemi arritur të vërtetojmë se është cilësia ajo që bën ndryshimin. U them të gjithë atyre që do të zgjedhin Universitetin Europian për të studiuar se investimi nuk do t’u shkojë dëm. Për të gjithë ne sot është një ditë e veçantë. Nga auditorët dalin të diplomuarit e parë”. Me këto fjalë rektori i Universitetit Europian të Tiranës nisi fjalën e tij përshëndetëse. Në një ceremoni speciale të organizuar më së miri në Pallatin e Kongreseve plot 170 studentët të UET hodhën në ajër kapelet e të sapodiplomuarve. Në sallë ishin të pranishëm familjarët e tyre, të cilëve u lexohej në fytyrë gëzimi për këtë ditë të shënuar. Diplomat i përkasin 3 fakulteteve të UET, përkatësisht atij të Shkencave Sociale, Juridikut dhe Ekonomikut me degët dhe profilet përkatëse. “Bashkë me këtë ceremoni ne bëjmë një bilanc. Rruga që nisëm para tre vjetësh ishte e nxitur nga një përgjegjësi e madhe morale dhe intelektuale. Tashmë mund të themi të sigurt se kemi arritur që vetëm në 3 vite të ofrojmë një cilësi të denjë mësimdhënieje, një staf akademik të përzgjedhur dhe një mjedis intelektual tërheqës për të gjithë, që stimulon e nxit dije”, theksoi rektori Civici. Ai nuk la pa falënderuar gjithë stafin e pedagogëve si dhe themeluesit e këtij universiteti Adri Nurellari, Henri Ccili, Blendi Kajsiu dhe Ermal Hasimja. Ky i fundit i cilësoi tre vitet në këtë universitet si më të bukurat sa i përket investimit dhe arritjes së qëllimit që u kishin venë vetes. “Lindi si një ide në një lokal gjithë tym, pasi një grup të rinjsh të kthyer me dëshirën për të ndryshuar Shqipërinë menduan të ngrenë një tempull dijesh. Gjithçka u konkretizua dhe ne arritëm të bëjmë këtë universitet. Është një ndjesi madhore për të gjithë ne që këto 3 vite i cilësojmë si më të bukurat e jetës tonë”, tha Hasimja. Universiteti Europian i Tiranës është ndër të paktat shkolla të larta publike, të cilat janë akredituar tashmë nga Ministria e Arsimit. Me këtë proces diplomat e këtij universiteti janë të vlefshme në tregun e punës. “Studentët që diplomohen tek ne, do të jenë të aftë të përshtaten, të orientohen dhe të kenë sukses në dinamikat komplekse të tregut të lirë. Për këtë qëllim dy dimensionet, ai teorik dhe ai praktik, do të jenë të ndërlidhur ngushtë me njëri-tjetrin”, u shpreh rektori.

Themelimi

Universiteti Europian i Tiranës (UET) u themelua në vitin 2006 prej një grupi individësh që përbëhet nga akademikë, pedagogë (shqiptarë e të huaj), gazetarë dhe menaxherë me eksperiencë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat të arsimit të lartë. Kjo nismë s’u nxit vetëm prej kërkesës së tregut, por edhe prej dëshirës për të ndërtuar një institucion arsimor cilësor, që ofron një model edukimi alternativ e bashkëkohor, ndryshe nga modelet tradicionale ekzistuese, që nuk u përgjigjen aspak kërkesave të tregut e të kohës ku jetojmë. Kombinimi i dijeve teorike me aftësi konkrete, si dhe aftësia për të zbatuar në praktikë koncepte abstrakte teorike, janë bazat e filozofisë mbi të cilën funksionon Universiteti Europian i Tiranës (UET).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›