E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie shkëmbi natën mbi Mangalem,dhjetëra banorë në panik

 

BERAT - Shkëmbinjtë shkatërrojnë lagjen muzeale Mangalem të Beratit, ndërsa u rrezikuan banorët. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00 ku një masiv shkëmbor rreth dy metër i gjatë dhe po kaq i gjerë është shkëputur nga Kalaja dhe ka rënë mbi lagjen Mangalem. Pasi është shkëputur guri është rrokullisur poshtë me shpejtësi duke rënë mbi një banesë në fund të lagjes, pikërisht mbi çatinë e një rrobaqepësie dhe një parukerie. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, drejtuesit e pushtetit lokal dhe zjarrfikësit. Errësira ka bërë që të mos kryhej inspektimi dhe verifikimi i dëmeve, ndërsa në mëngjes ka rezultuar se shkëmbi gjatë shkëputjes nga faqja e kalasë ka rënë në dy banesa, ku fatmirësisht nuk ndodheshin njerëz në ato momente. Guri ka goditur pjesët e betonuara të godinave dhe pasi ka dëmtuar muret dhe një pjesë të çatisë ka përfunduar në rrugën kryesore, ku ka shkatërruar një makinë që ndodhej e parkuar në trotuar. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi është shprehur se gjendja është tejet e rrezikuar pasi dhe tre masive shkëmbore janë gati për t'u shkëputur dhe mund të përfundojnë në banesat e tjera të lagjes Mangalem. Sipas specialistëve dhe kryebashkiakut Nasufi mësohet se kjo gjendje është krijuar nga dy faktorë: E para përbërja natyrore e shkëmbit, qindravjeçar, i cili është amortizuar dhe në të janë krijuar shpërbërje. Ndërsa e dyta ka të bëjë me qarkullimin e automjeteve të tonazhit të rëndë të ngarkuar me inerte, që qarkullojnë në këtë zonë. Nga tronditja e automjeteve shkëmbi ka krijuar çarje të mëdha. Në këtë zonë muzeale në vitin 1974 një masiv shkëmbi me përmasa të mëdha rrezikonte të binte mbi banesa, por me ndihmën e specialistëve kinezë u rrethua me kavo të çelikta. Ndërsa dy vite më parë me ndihmën e forcave xheniere të ushtrisë u thërrmua dhe u largua i gjithi. Por prej dy vitesh shkëmbi që u rrëzua dje qëndronte mbi banesat e lagjes, ndërsa tashmë kanë mbetur tre masive të tjera që rrezikojnë të bien. Nga ana e bashkisë është kërkuar që gjendja të verifikohet nga një grup specialistësh nga Tirana, të cilët do të propozojnë edhe masat që do merren në të ardhmen për të parandaluar rreziqet, që i kanosen kësaj lagje që ka vlera muzeale për qytetin.           d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›