E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bahri Myftari: “Kritikët e djeshëm fshihen, të sotmit shiten”



Petrika GROSI
Ndërsa kritikët e djeshëm të letrave shqipe, që mbaheshin si personalitete të kësaj gjinie deri para viteve ’90, sot fshihen dhe mundohen që të bëjnë ndonjë libër akademik pa i trazuar ujërat, kritikët më të rinj bëjnë shkrime të porositura kundrejt pagesës apo dhe recensa, e po kështu edhe pedagogët më të mirë të letërsisë, të cilët vetëm japin mësim e me raste, shkruajnë ndonjë parathënie. Sipas shkrimtarit Bahri Myftari ky është niveli i sotëm i kritikës letrare në Shqipëri dhe situata që gjallon në sferat letrare të Tiranës, për të mos folur për rrethet.

A kemi kritike letrare në Shqipëri?
Më tepër është një kritikë që ta bëjnë shokët dhe miqtë ose një kritikë e paguar. Pra, paguhet kritiku me honorare 3 apo 4 mijë lekë dhe shkruan për librat. Të dyjat rastet janë tragjike por të vërteta; kritika serioze nuk ekziston. Dikur, ju hapët një debat tjetër për provincializmin në letërsi. Moikom Zeqoja i mëshoi këtij konstatimi, ndërkohë që atëherë unë nuk isha dakord, por sot, kur e rishikoj qasjen e tij jam plotësisht i mendimit se letërsia dhe kritika shqiptare e vuajnë provincializmin. Nuk shikoj asnjë rreze drite në këtë drejtim. Mungon institucionalizimi, aq sa po na merr malli për atë kritikën e diktuar të realizmit socialist.

Po Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, sidhe katedra e Letërsisë në Universitetin e Tiranës, a po e luajnë rolin e tyre siç duhet?
Ta lëmë mënjanë Institutin e Gjuhësisë që të merret me problemet më themelore. Sa i takon katedrës së Letërsisë, më vjen keq për të. Po t’i marrësh si individë, aty ka pedagogë të shquar, njerëz me integritet kulturor. Duket se ata nuk duan të jenë publikë dhe i shmangen prononcimeve. Nuk e di pse ndodh kjo dhe pse është ky pasivitet. Nuk e kuptoj pse ata kanë qejf vetëm që të bëjnë rolin e mësuesit dhe nuk angazhohen në mendimin publik qytetar aq më pak në atë kritik letrar. Ndoshta, mund të kenë ngarkesë në punë por kjo nuk do të thotë që të tregohen kaq të distancuar.

A është pasojë e një letërsie të dobët kjo mangësi e kritikës?
Është edhe kjo, pasi kritika nuk e gjen bukën e përditshme te letërsia. Natyrisht që shkrimtarët nuk janë pa faj.

Si shpjegohet që botimet e autorëve tanë jashtë shtetit priten gjithmonë si arritje dhe vlera të mirëqena nga kritika e këtushme?
Këto botime mund të jenë serioze ose jo. Mund të përbëjnë thjesht një lajm ashtu siç mund të fryhen nga autorët dhe nga gazetarët.

Po shkrimtarët, pse nuk e bëjnë kritikën e munguar?
Shkrimtarët janë si të gjithë njerëzit e tjerë dhe ndajnë të njëjtat probleme ekzistenciale. Mbështetja ndaj tyre mungon. Përballja me jetën e përditshme i sposton pak edhe ata.

Po për piramidën me në majë treshen “Kadare – Agolli – Arapi”, ç’mendim keni?
Është një treshe që tashmë e ka kryer misionin e saj por që nuk mund të mbajë të njëjtin vend edhe në këtë kohë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se piramidën duhet ta kthejmë kokëposhtë dhe të mohojmë gjithçka, ndonëse mund të ketë individë të caktuar që duan ta rrëzojnë fare. Kjo treshe e ka kryer një mision të madh me vlera historike. Nuk ka asgjë të keqe, këto janë fenomene të njohura. Në kohë të caktuara ka një treshe apo një dyshe shkrimtarësh që e bëjnë historinë e tyre dhe nuk kanë pse të kontestohen.

Meqë sipas jush, ka ikur koha e kësaj tresheje për të qenë në majë të hirearkisë, kush e ka zënë këtë vend; të gjithë janë gjeni e njëherësh, nuk kemi asnjë shkrimtar, si shpjegohet?
(Qesh) Pikërisht, kjo është gjëja më e dhimbshme. Në atë kohë, përveç aftësive dhe talentit të këtyre krijuesve ishte një propagandë dhe institucione të tëra në mbështetje të shkrimtarëve. Një dyshe apo një treshe, sot nuk mund të jetë aq unike dhe nuk ekziston mundësia e rritjes së autorëve. Jo se mungojnë vlerat por kritika është ose duke bërë aleancë me të rëndomtën, ose nuk prononcohet fare.

Sa mendoni se e lexojnë shkrimtarët njëri-tjetrin? Po kritika, a i lexon botimet e shumta në tregun e librit?
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt; shkrimtarët janë pjesë hallemadhe e shoqërisë. Shkrimtarët dhe letërsia janë pjesa intelektuale më e goditur nga politika. Nga 40 parti që ishin në fushatë, asnjëra nuk e përmendi artin dhe letërsinë. Të mos kesh një ndihmë konkrete nga administrata e sotme dhe të jesh shkrimtar i talentuar është e papranueshme. Nuk ekziston një mendim se shkrimtari dhe kritiku janë pasuri e madhe, të cilëve duhet t’u krijohen disa kushte minimale për të punuar. Mediokriteti në mënyrë masive dhe botimet pa kritere kanë bërë që serioziteti të humbë në letërsi edhe në kritikën e saj.

14 ansamble në Festivalin e Folklorik Mesdhetar “Vlora 2009”

14 grupe foklorike nga Bosnja, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, do të marrin pjesë në Festivalin Foklorik Mesdhetar “Vlora 2009”, që do të zhvillohet nga 1-5 gusht në qytetin e Vlorës. Drejtues të këtij aktiviteti publikuan dje, gjatë një konference për shtyp detaje të Festivalit, që përkon me edicionin e 5-të të tij. Drejtori i Festivalit Folklorik Mesdhetar “Vlora 2009”, Istref Dobi tha për ATSh-në se “synimi i këtij aktiviteti është promovimi i resurseve turistike të Vlorës, i vlerave kulturore e folklorike, trashëgimisë kulturore, argëtimi i komunitetit vendas dhe pushuesve etj”. “Folklori dhe traditat i bashkojnë njerëzit, pasi duke njohur kulturën dhe historinë e një populli e njeh dhe respekton më tepër atë”, nënvizoi Dobi, sipas të cilit "ky është dhe një nga mesazhet që përcjell dhe do të përcjellë Festivali Foklorik Mesdhetar, krahas ndjenjave të miqësisë, paqes, dashurisë dhe harmonisë mes popujve". Nga ana e tij, drejtori artistik i festivalit prof. Ermir Dizdari, u shpreh se “krahas evidentimit të vlerave kulturore, ky aktivitet do të shërbejë edhe si një urë komunikimi mes popujve të rajonit”. Në funksion të këtyre mesazheve, është zgjedhur dhe përcaktuar dhe emblema e këtij aktiviteti, që është një anije me vela që simbolizon urën e komunikimit dhe bashkëpunimit mes popujve të Mesdheut. Për zhvillimin e Festivalit, janë përzgjedhur skena verore në tre sheshe të qytetit. Krahas tyre janë përzgjedhur dhe dy pika të tjera në mjediset e Parqeve Arkeologjike të Orikut dhe të Apolonisë (Fier), të cilat në ndryshim nga viti i kaluar janë përfshirë ne gjeografinë e aktiviteteve. Shqipëria në këtë aktivitet do të prezantohet me Ansamblin “Labëria”. Festivali Folklorik Mesdhetar “Vlora 2009” që organizohet nga Bashkia, Qendra Kulturore Vlorë dhe shoqata “Alb-Mediterraneo” është shndërruar tashmë në një traditë dhe konsiderohet si vazhdim i aktiviteteve të mëparshme të këtyre përmasave, të zhvilluara në qytetin jugor bregdetar në sezonin veror.

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›