Andoni: Kur flisnim për Shqipërinë në takimet me Sabaton e Maradonën
Pirro Andoni
Kaluan vite që jam ndarë me Argjentinën dhe shërbimin diplomatik. E vetmja lidhje me to kanë mbetur blloqet e shënimeve, që kam mbajtur gjatë shërbimit në rajonin e largët. U kthehem e rikthehem atyre sa herë gjej kohë dhe jam i lirë. Gjithçka është e shënuar me nxitim. Ngjarje që pasojnë njëra-tjetrën, ashtu siç kam mundur t’i ndjek. Aty-këtu këputen. Vende-vende marrin formën e ditarit intim. Tek-tuk ka shënime zyrtare, të hedhura me një frymë. Faqe pas faqeje konturohet një histori interesante, e cila nuk mundi të gjejë vend në relacionet e ambasadorit dhe diplomatit, por mbeti e fiksuar në memorien dhe shpirtin e tij. Ditët e bukura në Amerikën Latine më falën kontakte e miqësi me njerëz të mëdhenj e figura të shquara, prej të cilëve mësova shumë. Ka ndër ta si shkrimtari i madh Erneste Sabato, apo ylli i futbollit brazilian, Sokrates e i famshmi Maradona, me të cilët ndava përjetime të përbashkëta jo vetëm për fushatat shkëlqenin, por edhe për traditat e realitetet shqiptare. Gjithsesi, kohët ishin të tilla kur bashkëbisedimi për to nuk mund të shkonte deri në fund....
Miku im, Ernesto Sabato
E kam quajtur veten me fat që pata rastin të takohem e të bëhem mik me të madhin Ernesto Sabato. Ai është një nga figurat më të njohura në Argjentinë, si shkrimtar, shkencëtar, por edhe si një personalitet në fushën e të drejtave të njeriut. Sabato i përket asaj pjese të emigracionit të ardhur në Argjentinë nga Italia, por gjaku i tij ka prejardhje arbëreshe. Nena e Sabatos fliste fjalë shqip, të cilat edhe ai i artikulonte me ndrojtje se mos i shtrembëronte shumë. Kjo ishte një arsye më tepër për t’u afruar me të. Pikërisht për këtë u mundova ta kërkoj qysh muajt e parë kur mbërrita me detyrë në Argjentinë. Në takimin e parë Sabato u tregua i rezervuar. Si shume arbëreshë të tjerë, komuniteti i të cilëve ishte goxha i madh, edhe ai qëndronte i distancuar për arsyet që tashmë dihen. Shqipëria ishte një vend komunist, i izoluar, por ajo që e bënte më të ndjeshme qëndrimin larg saj ishte çështja e fesë. Ndaj fesë komuniteti arbëresh ishte shumë i ndjeshëm. Sabato në këtë pikë nuk bënte përjashtim. Pavarësisht kësaj, në prezantimin e parë, ai dukej pak i ftohtë e protokollar, megjithatë shumë shpejt akujt u shkrinë. Ndoshta simpatia personale apo çiltërsia gjatë komunikimit si dhe dëshira e dyanshme për të afruar entitetin arbëresh me atë shqiptaro-argjentinas, u bënë shkak të gjenim te njëri-tjetri shumë gjëra të përbashkëta e të vendosnim urat e komunikimit. Sabato ishte i kujdesshëm, ndonëse e dinte që në Shqipëri kishte një regjim komunist, profilin e të cilit ai e njihte mirë, pasi në rininë e tij kishte ndjekur dy vjet me radhë studimet në Moskë, në një shkollë leniniste. Ma pati treguar këtë në një bisedë delikate kur flisnim për dëmet që i sillte vendit tonë politika ekstremiste e Enver Hoxhës. “Unë kam qenë vetë në Bashkimin Sovjetik, më tha ai, dhe kam parë me sytë e mi një vend të tmerrshëm ku gjithkund ndjehej atmosfera e një spitali psikiatrik”. Komunizmi për Sabaton e madh ishte vetë marrëzia. Pikërisht për këtë arsye ai e kishte braktisur shkollën në Moskë dhe bashkë me të dhe doktrinën e komunizmit. Jo vetëm kaq, por iu kushtua një fushe të gjerë e të vështire siç ishte ajo e të drejtave të njeriut, që shtypeshin përdhunshëm nga represioni i diktaturave me origjinë bolshevike. Pas divorcit që Sabato i bëri filozofisë leniniste, iu përkushtua zellshëm shkencës e njëherazi u bë i famshëm edhe si shkrimtar. Ai asnjëherë nuk i rreshti përpjekjet për të vendosur lidhjet me vendin e të parëve. Sabato ndërkaq shquhej për karakterin e fortë dhe qëndrimin e palëkundur për të përmbushur kauzën e tij në emër të misionit fisnik për të drejtat e njeriut. Ai ndjehej keq që njihej pak me letërsinë e Shqipërisë, por më thoshte se nga vizitat e shumta në Paris kishte mundur të kontaktonte me krijimtarinë e një shkrimtari të madh siç ishte Ismail Kadareja. Sidoqoftë rezervohej jo pak kur donte të rrëfente atë që mendonte për regjimin e Enver Hoxhës. Ai ndjehej keq kur më rendiste burgjet politike në Shqipëri, izolimin e bunkerizuar siç thoshte dhe mbi të gjitha ateizmin e përdhunshëm, që ishte vendosur qysh në vitin ‘67. E gjitha kjo mbetej pjesa më e dhimbshme e imazhit të Sabatos për vendin e origjinës të nënës së tij. Kur binte fjala për traumat e diktaturave ai mundohej të më shpjegonte atë çfarë kishte artikuluar në krijimtarinë e tij nga tragjeditë njerëzore të sistemit në Argjentinë. Larg e larg me këtë qasje mundohej të më sillte në vëmendje paralelen midis dy shoqërive në lëngatë.
Sabato më tregonte se koha e viteve pas diktaturës, përbënte një nga periudhat më tronditëse të kombit argjentinas. Vendi dilte nga një diktaturë e egër, e cila kishte plagosur mëse 30.000 familje duke u rrëmbyer, vrare e zhdukur njerëzit e tyre, djem e vajza të reja, fëmijë e gra. Ernesto Sabato ishte vënë në krye të grupit të intelektualëve që morën përsipër operacionin e madh për të dokumentuar të vërtetat e tragjedisë së madhe. Në kryesimin e një komisioni Sabato në një kohë rekord hartoi një material me
50 mijë faqe, në të cilin përshkruhen nga dëshmitarë okularë fatet e atyre që kanë hyrë në histori si ”los desaparecidos” të zhdukurit. Ai e realizoi këtë me vullnetin e tij, me forcën që e karakterizonte, ku siç më pëlqente t’ia thosha herë me shaka e herë për të nisur bisedën me humor: Ke shkëlqimin e syve të njerëzve të vendit tim, po edhe pak nga inati e vendosmëria e tyre...”. Ai qeshte dhe nuk më kundërshtonte. Libri i tij
mbetet një dokument autentik me vlera të jashtëzakonshme për kohën dhe krimet e regjimeve diktatoriale të Amerikës së Jugut.
Sabato në kohën kur po shkruhen këto radhë ka hyrë në vitin e 98 të jetës, megjithatë mbetet një burrë i fortë dhe një shkrimtar i madh. Më lart e ngriti figurën e tij botimi i kujtimeve biografike me titull: “Antes el fin”(para fundit) të cilin e ka botuar dhe me të tregoi edhe një herë atë çka shkrimtarja e njohur Maria Arosa Loso thotë: “Ai është një burrë me shkëlqim, me kurajo dhe energji. Në të gjitha veprat e ka ngritur njeriun atje ku duhet të jetë”.
Marrëzia me Maradonën
Ka ndodhur vërtet diçka absurde në atë periudhë. Ndër detyrat e shumta që merrja nga Tirana, një ditë të bukur me një fonogram të veçantë më kërkonin që në Argjentinën e famshme të futbollit botëror të gjeja një trajner për ekipin kombëtar! Po në atë shkresë zbardhej dhe oferta e shtetit shqiptar për të: Sigurim banese dhe ushqimit falas pa asnjë dollar pagesë(!) Ishte rendja pas kësaj aventure që u bë shkak të përballesha me Maradonën e madh. Në atë periudhë argjentinasit çme-ndeshin për të. Nuk kishte asnjë fëmijë në atë vend që nuk aspironte të bëhej një Maradonë. U njoha me të aty nga fundi i viteve ‘80. Ishte koha kur në Shqipëri gjërat kishin nisur të lëvizin duke hedhur sytë nga Perëndimi. Pikërisht në ato vite, mora kërkesën nga Tirana për të gjetur ndonjë trajner të huaj në Argjentinë. E çuditshme ishte paketa e kushteve që afronin zyrtarët tanë mendjelehtë. As më shumë dhe as më pak ata garantonin për trajnerin nga Argjentina vetëm banesë, ushqim e trajtim shëndetësor falas dhe asgjë tjetër. Dhe kur pra, në kohën kur korifejtë e futbollit të atij rajoni ishin nga më të paguarit e tërë rruzullit, madje shpërblimi për ta arrinte miliona dollarë. Sidoqoftë, unë e kisha detyrë zyrtare dhe duhej së paku të bëja përpjekjet e mia në mënyrë që të ktheja një përgjigje për qendrën. Nisa lëvizjet e para në vendet ku mblidheshin krerët e futbollit, aktivizova miq e të njohur që kishin lidhje me këtë fushë dhe më në fund i bëra një ftesë në përfaqësinë tonë diplomatike trajnerit të njohur të Argjentinës, atij që i dha titullin kampion në vitin 1978, Cesar Luis Menoti. Me të kisha pasur rastin të takoheshim edhe më parë. Ishte një burrë i kuptueshëm dhe në atë periudhë ishte i njohur për prirjen e tij politike si majtist. Nejse, pas takimit në ambasadë, ai më ftoi të kalonim një fundjavë në vilen e tij diku jashtë Buenos Airesit. Më tha se atje ishte një mundësi e mirë për të biseduar edhe për kërkesën e Tiranës, pasi ishte një nga vendet e “pelegrinazhit” të shumë futbollistëve të vjetër e të njohur. I interesuar më shumë për Maradonën, e pyeta nëse ai do të ishte apo jo. E kam ftuar dhe atë më tha, por axhenda e tij është aq e ngjeshur sa ndryshon në minutën e fundit.
Pata rastin të jem atë dite mes shumë figurave të njohura të sportit, ku shkëlqente Maradona. Menoti më prezantoi me të duke i thënë se jemi në kërkim të një trajneri për në Shqipëri.
-”Albania?!, tha si me habi, ku bie Shqipëria?”.
Shpjegimet më tej ia dha trajneri Menoti, bile ai i tha se kanë një futboll mesatar dhe se një nga skuadrat, të cilën e kishte parë në video “Flamurtari” në ndeshjen me Barcelonën kishte futbollistë të mirë të nivelit ndërkombëtar, që shquheshin për teknikë, por më shumë për shpirtin e dëshirën për fitore. Aty për aty Maradona kërkoi për ta parë me kujdes videon ku ishte regjistruar ndeshja e Flamurtarit. Kur mbaroi ajo, u kthye nga unë dhe kërkoi nëse kisha ndonjë ndeshje tjetër. I thashë se për momentin nuk më ndodhej aty, por nëse interesohej unë mund t’ia siguroja. Ai shprehu konsiderata pozitive për djemtë e Vlorës që luajtën në Barcelonë dhe u shpreh se me elementë të tillë ia vlen të punosh. Teksa dëgjoja Maradonën që ngjallte optimizëm te kolegët e tij për të përqafuar nismën e trajnerit të kombëtares tonë, rrija si i zënë në faj, pasi nga momenti në moment pala tjetër do më kërkonte pagesën, të cilën do t’i vinim në dispozicion. Ishin vërtetë shumë çaste kritike, por mënyra si rrodhi biseda me këta njerëz të mrekullueshëm, u kalua pa u ndjerë. U propozuan aty disa kandidatura nga emrat më të mëdhenj të futbollit argjentinas, por ngaqë unë ngurova të ofroja atë çfarë më kishte autorizuar Tirana, gjërat mbeten pa u konkluduar deri në fund. Jam përballur dhe një herë tjetër me Maradonën, por këtë radhë krejt rastësisht. Kisha shkuar te një miku im që e kishte shtëpinë afër vilës së Maradonës dhe teksa po pinim kafe në oborr, ra vrullshëm para nesh topi me të cilin ai stërvitej në fushën e vet. Nuk kaloi vetëm pak dhe ja behu Maradona te porta e shtëpisë. Miku im që njihej me të zgjati dorën për t’i dhënë topin. Sakaq Maradona duke na përshëndetur u kthye nga unë që me sa dukej më mbante mënd nga takimi që kishim bërë disa ditë më parë. “Ej ambassador, albaneze, ia bëri ai, e gjetët trajnerin apo jo?” Aty për aty i thashë se ishim ende në kërkim dhe u ndamë me mirësjellje. Ky ishte një rast interesant, por Maradonën e gjeje çdo ditë në jetën e një kombi, i cili futbollin e ka pjesë të jetës dhe të bisedave të tij.
E diel, 20 korrik 1986
Është ditë e diel. Bëjmë disa vizita në qendra historike. E para, te “Monumenti i Martirëve”. Një lapidar buzë një kodre. Poshtë tij shtrihet liqeni i Managuas. Kthjelltësia e liqenit ndërpritet vende-vende nga ishuj toke të gjelbër. Pikërisht në këtë vend, diktatori Somoza grumbullonte të rinjtë që demonstronin pikëpamje revolucionare dhe pasi i torturonte, i pushkatonte. Pastaj i rrokulliste në greminë. Rojet e diktatorit i ndalonin nënat të merrnin kufomat e bijve të tyre. Në darkë jemi të ftuar nga amabasadori i Surinamit në SHBA, Arhaldo Th. Hfilde, bashkë me disa kolegë të tjerë kryetarë delegacionesh. Ishte një darkë që mbahet mend për gjellët karakteristike të Nikaraguas, si edhe për bisedat dhe shkëmbimin e pikëpamjeve midis miqsh. Ambasadori i Surinamit u miqësua shumë shpejt me mua. Atij i pëlqente të rrinte e të bisedonte. Kishte një kuriozitet dhe interes të veçantë për të ditur sa më shumë për vendin tonë. Shkëmbyem mendime dhe më bëri shumë përshtypje ideja e tij, të cilës i mëshoi më shumë: Nuk e keni drejt që kundërshtoni kaq ashpër të mëdhenjtë. Sidomos, argumentoi ai, mungesa e marrëdhënieve diplomatike me ta e dëmtonte imazhin e vendit, pengonte inkuadrimin e tij në jetën e kombeve të tjera. Ishim larg vendit, të bindur se nuk na dëgjonte njeri. Shumë nga ato që u thanë atë natë nuk u raportuan lart. Jo se i fshehëm, por kishim bindjen tonë se edhe po t’i thoshim asgjë nuk do të ndryshonte. Për këtë, në mirëbesim, i tregova mikut nga Surinami një bisedë që kisha bërë me Maxhunin (Maxhun Peka- ish-ambasador i Shqipërisë në Francë). Kur po kthehesha nga Shqipëria për të shkuar në Argjentinë, qëndrova si zakonisht për disa orë në Paris. Dolëm me Maxhunin në një park të madh, më i madhi që ka Parisi. Ishim vetëm ne të dy. Kolegu nisi të më flasë për ngarkesën e tepërt e “speciale” që kishte ai, duke pritur e përcjellë autoritetet kryesore të vendit. Më përmendi disa prej tyre të ardhur vetëm muajt e fundit. Mua, që isha në fund të botës dhe ku nuk shkelte veçse ndonjë kontrollor për shifrën një herë në dy-tre vjet, më bënte përshtypje kjo gjë dhe, të them të vërtetën, e quaja një privilegj, se njohja me krerët e vendit ishte një shans për të siguruar të ardhmen, apo për të pasur mundësi, që të zgjidhje ndonjë problem në kohë të vështira. I prekur nga gjendja që kisha gjetur në Shqipëri, i përmenda mikut tim një thënie të motrës sime, që banonte në fshatin tim, në Vuno. E di ç’më tha motra një ditë, i thashë duke u ndalur, me qëllim që t’i dëgjonte qartë ato që do t’i thosha: “Më mirë mos të më gjejë dita. Nuk e dua jetën, kur i nis djemtë e nuset me bukë e sheqer, për të punuar 10 orë tek ullinjtë”.
Tani më thuaj, ata që vijnë këtu çfarë thonë?
-Çfarë thonë? Maxhuni nënvizoi këto fjalë dhe qëndroi para meje, duke më shikuar me kujdes, si për të theksuar se kjo që po më thoshte ishte e saktë, por jo për ta komentuar. “Thonë se nuk e kemi mirë, dhe vazhdoi: - Po kur shkojnë në Shqipëri e harrojnë atë që thonë këtu. Kjo është e çuditshme!”. Këtë bisedë ia transmetova në mirëbesim mikut tim nga Surinami. Me këtë desha t’i tregoja se një mendim përparimtar po lëvizte edhe brenda kupolës qeveritare, një formë kjo për të treguar se gjërat do të vijnë duke ndryshuar. Vonë u kthyem në hotel. Biseda me kolegët më kishte dhënë shumë materiale për t’i transmetuar lart. Para se të bija në gjumë, mu desh të shënoja në bllok disa nga mendimet e tyre. Të nesërmen i transmetova lart. Në këtë mbrëmje, bashkë me ne ishin edhe përkthyeset, dy vajza që e flisnin anglishten në mënyrë perfekte. Njëra prej tyre quhej Bermudes, ishte mulate, me sy të zinj e të mëdhenj, flokë të gjatë të dredhur kaçurrel. E veshur bukur, por jo ekstravagante. Si shumica e vajzave që kryenin këtë detyrë, ajo kishte mbaruar Universitetin e Managuas për filozofi. Kishte një tipar të veçantë: Fliste vetëm po ta pyesje dhe i argumentonte gjërat, duke të parë drejt e në sy. “Diktatura e Somozës kishte futur në vend prostitucionin. Turistët e huaj sa herë kalonin pushimet në vend argëtoheshin nëpër kazino, shfrytëzonin injorancën dhe tregtinë e njeriut. Revolucioni po përpiqet t’i presë rrugën kësaj plage të vjetër”, na tha ajo. Indiania tregon shumë shembuj rrëqethës për mentalitetin e rrënjosur në shekuj në këtë vend dhe për luftën që duhet bërë për ta zhdukur atë. “Në bregun e Atlantikut, ku është vendosur shumica indigjene e popullsisë, qeveria sandiniste dërgon brigada për të ndihmuar njerëzit të kulturohen. Atje njerëzit jetojnë me gjuetinë e peshkut, një pjesë e tyre merren me bujqësi. Por ende ndodhen nën mentalitetin arkaik sentimental e mesjetar. Ndodhi që një vajzë e vogël në një familje vuante nga malaria. Ishte vetëm 4 vjeçe. Kur shkoi në vend brigada, ku bëja pjesë edhe unë, vumë re se sytë e saj po veniteshin. Prindërit rrinin të qetë. Ata prisnin të vdiste vajza e tyre, duke e quajtur këtë një fatalitet, diçka të pashmangshme.
- Ajo duhet të vdesë,- tha i ati- nuk mund të shpëtojë. Të mos vuajë nga uria, nga puna, ky është fati i saj.
Këta njerëz nuk e kishin idenë e ilaçeve. Nuk mund të flisje për ndërhyrje mjekësore. Kjo nuk perceptohej prej tyre. Kur unë nxora nga çanta disa aspirina, duke i dhënë një foshnjës, prindi i saj më tha: - Jo, këtë nuk mund ta shpëtojë asgjë, ajo është e destinuar të vdesë.
Për fat të mirë, fëmija e kapërceu rrezikun. Por kjo nuk u bëri shumë përshtypje pjesëtarëve të familjes”.
Teksa shkruaj këto shënime për Nikaraguan, për vendet në thellësi të kontinentit, më vijnë ndërmend emisionet e kanalit 11 të Argjentinës, ku përmes një materiali bindës filmik, pasqyrohej jeta e fiseve indigjene në Catamarka, apo në Entre Rio, si në kohën e Mesjetës. Megjithëse këta njerëz i përkisnin shekullit të XX, nuk e dinin se çfarë ishte shkolla, çfarë ishte mjeku.
Në Nikaragua qëndruam disa ditë. Pamë shumë gjëra interesante, u takuam me miq, me simpatizantë të vendit tonë, me njerëz të thjeshtë, me personalitete të politikës, me diplomatë. Aty përçuam idetë tona, në të njëjtën kohë morëm në konsideratë përshtypjet dhe mendimet e miqve.