Vrasja e Enver Zymberit, arrestohet serbi

Enver Zymberi
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në një komunikatë për mediat, ka bërë të ditur sot se hetuesit e Task Forcës së EULEX-it në Mitrovicë e kanë arrestuar njërin nga të dyshuarit e kërkuar në lidhje me vrasjen e policit të PK-së, Enver Zymberi.
Arrestimi i tij është kryer sot në mëngjes në Mitrovicë.
Sipas konfirmimit nga policia e Kosovës, i dyshuari i arrestuar është Sllobodan Vuçiniç, njëri nga gjashtë personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet ndërkombëtare në tetor 2011.
Televizioni publik serb RTS, ndërkaq, ka njoftuar sot se policia e EULEX-it ka arrestuar Bllagoja Vuçiniçin, babanë e Sllobodan Vuçiniçit.
Pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, ra në krye të detyrës në operacionin e qeverisë së Kosovës për marrjen e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, në korrik të vitit të kaluar. Ai ishte baba i tre fëmijëve dhe pjesëtar i policisë së Kosovës që nga viti 2000. / Koha. net