E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Gentian Bejtjas, Prokuroria e Tiranës kërkon 23 vite burg për një prej autorëve

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka kërkuar shpalljen fajtor të shtetasit Ilir Beqaraj (alias I.B, alias B, alias M), i dyshuar si ndihmës në atentatin ndaj Gentian Bejtjas, i cili u vra më 15 mars 2024 në oborrin e banesës së tij në fshatin Larush, Fushë Krujë.

Beqaraj është akuzuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, për të cilat Prokuroria kërkon dënime përkatëse.

Hetimet e procedimit penal nr. 1944 të vitit 2024 zbuluan se, pas vrasjes së Bejtjas, autorët përdorën një automjet tip Land Rover që u djeg pas ngjarjes, dhe më pas një automjet tjetër, Volkswagen Golf, në të cilin u gjetën prova gjenetike që lidhin Beqarajn me krimin.

Prokuroria ka kërkuar dënimin e Ilir Beqarajt me:

  • 21 vite burg për “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim.

  • 2 vite burg për “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”.

  • 1 vit burg për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në përputhje me nenin 55 të Kodit Penal, kërkohet bashkimi i këtyre dënimeve dhe përfundimisht Beqaraj të dënohet me 23 vite burgim.

Kush ishte Gentian Bejtja?

Gentian Bejtja, ishte një emër i njohur për policinë, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar më parë me arsenal armësh në banesë. Në atentatin e paarafundit që i bënë verën e 2023, nga të shtënat me armë mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino dhe u plagosen dy fëmijët e tij të mitur.

Pas kësaj ngjarje, Bejtja tentoi që të largohej nga vendi, duke kërkuar edhe azil në Norvegji dhe Suedi, por nuk ia miratuan.

Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013. Bejtja u bë i njohur me 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, në rrugën “Petro Korçari”, fare pranë banesës së tij. Gentian Bejtja është shoqëruar më parë edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›