Vrasja e Martin Canit/ Prokuroria kërkon 25 vite burg për 14-vjeçarin

Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për të miturin Mario Përlleshaj që akuzohet për vrasjen e Martin Canit, duke kërkuar dënimin me 25 vite burg për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave.
Por prokurorja Alma Felaj tha gjatë fjalës së saj se e lë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar duke i kujtuar Kodin Penal për të mitur, përkatësisht nenin 97, i cili përcakton se dënimi në këto kushte nuk i kalon 12 vite, ç’ka do të thotë se nëse gjykata merr parasysh këto rrethana, autori i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçja mund të dënohet me më pak se gjysma e dënimit fillestar.
Në seancën e ardhshme do të mbahen konkluzionet e mbrojtjes por edhe qëndrimi i palëve të dëmtuara. Kujtojmë se si pasojë e përleshjes mes të miturve mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar. Prej nëntorit të 2024, 14-vjeçari Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” më 18 nëntor të vitit të kaluar.