E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Kombinatit, shoqërohen 25 persona

Policia e Tiranës, ende nuk ka emra konkretë për vrasësin e Ilir Nezirit, i cili u ekzekutua dy net më parë në Kombinat. Megjithatë, uniformat blu kanë shoqëruar rreth 25 persona, të cilët janë kryesisht persona që kanë dijeni mbi ngjarjen, kanë parë skenën e krimit apo kanë lidhje familjare apo shoqërore me viktimën. Mes tyre ka edhe persona të dyshuar se kanë lidhje me këtë krim të dy netëve më parë, i cili ndodhi në rrugën e Qelqit në Kombinat dhe dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje. Sipas hetimeve të para, pistat e hetimit janë disa, ndërkohë që ajo më e dyshuara është hakmarrja. Neziri njihet si kontingjent për policinë e kryeqytetit, pasi dy vjet më parë është shoqëruar si bashkëpunëtor për vrasjen e Petrit Drizës, ndërkohë që një vit para kësaj ngjarjeje, u arrestua për drogë së bashku me të birin. Megjithatë, grupi hetimor është i përqendruar më tepër në pistën e parë, atë të vrasjes për shkak të hakmarrjes, duke marrë në pyetje edhe të afërm të viktimës Driza. Policia duket se nuk ka gjetur prova për implikimin e të afërmve të Drizës në vrasje, por as për personat e tjerë të shoqëruar si të dyshuar. Ilir Neziri u qëllua për vdekje me pistoletë nga persona ende të paidentifikuar në vendin e quajtur "Rruga e Qelqit" në Kombinat. Viktima kishte dalë i vetëm në rrugën pranë shtëpisë së tij dhe është qëlluar në ambientet e një lokali të vogël. Dëshmitarë okularë pohuan se dy persona i janë afruar papritur, duke e qëlluar për vdekje. Ende nuk janë të qarta motivet e ekzekutimit, ndërsa pista kryesore dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes, pasi 47-vjeçari ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e Altin Hoxhës, i cili 3 vite më parë ekzekutoi po në Kombinat Petrit Drizën, autorin e plagosjeve të dy vëllezërve Altin dhe Klodian Hoxha, në vitin 2003. Për këto lidhje viktima Ilir Neziri u arrestua në vitin 2005 nga policia, pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar me Altin Hoxhën për të ekzekutuar Petrit Drizën, i cili u ekzekutua në afërsi të vendit ku u ekzekutua edhe Ilir Neziri dy net më parë në Kombinat. Neziri u dyshua se kishte informuar autorin e vrasjes, mbi të gjitha lëvizjet e viktimës, 30-vjeçarit Petrit Driza, duke kryer disa telefonata me autorin, në momentet e para dhe mbasi është kryer krimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›