E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Greqisë krijon radhë në kufi

Festa kombëtare greke shton fluksin e lëvizjeve në pikat kufitare, por edhe radhët e gjata në territorin grek. Të paktën 200 mjete të vogla kanë pritur në radhë gjatë natës për të hyrë në territorin shqiptar, pas një pushimi katërditor të punonjësve të pikës së kalimit kufitar të shtetit fqinj, me rastin e festës kombëtare të çlirimit. Radhëve të makinave që kanë arritur në disa kilometra u janë shtuar edhe autobusët e linjave ndërkombëtare. Krijimi i një konfuzioni për shkak të dyndjes në kufi ka bërë që pala greke të përshpejtojë kalimin e autobusëve të shumtë të ndodhur në territorin doganor, duke nisur procedurat me këto mjete transporti. Burimet e policisë kufitare shqiptare kanë bërë të ditur se ka pasur një rritje të ndjeshme të fluksit të lëvizjeve në të dyja anët e kufirit, por kryesisht në hyrje të vendit tonë, ku gjatë 24 orëve janë regjistruar të paktën 1900 shtetas. Një pushim prej disa orësh i palës greke ka mbyllur sportelet në mëngjesin e djeshëm dhe ka bërë që në të gdhirë të krijohen radhë të gjata makinash në territorin e doganës greke. Por deri në mesditë situata është qetësuar me rënien e fluksit të lëvizjeve ndërkufitare. Për shkak të festës dhe ditëve të pushimit nga ana e palës greke, në kufi është punuar me dy sportele në një kohë që fluksi i lëvizjeve ka qenë i madh.

Sipas të dhënave nga Pika Kufitare e Kapshticës, edhe pse pritej një bllokim i punës nga ana e palës greke, për shkak të pushimit dhe festës, fatmirësisht deri në mesditë është punuar, dhe pse me ritme të ngadalta, për të kaluar të gjithë shtetasit në të dyja anët. Deri ditën e martë, kur zyrtarisht nga ana e institucioneve greke është caktuar të bëhet pushim, pritet të ketë një shtim të lëvizjeve ndërkufitare nga Pika e Kalimit të Kapshticës.

Bllokimit të orëve të para të mëngjesit që ka lënë në radhë qindra mjete, i është shtuar edhe një ngadalësim i punës, por shtetasit shqiptarë, të cilët kanë ardhur duke përfituar nga pushimi në shtetin fqinj, sipas burimeve zyrtare të policisë nuk kanë pritur për më shumë se dy orë në territorin grek. Nga ana e palës shqiptare, duke qenë se janë shtuar lëvizjet në kufi në të dyja anët dhe kryesisht në hyrje të vendit, janë hapur edhe dy sportele shtesë për të mos vonuar kalimin e kufirit dhe kryerjen e procedurave. Megjithatë pritet të ketë një shtim të radhëve në këtë pikë kufitare, pasi nuk dihet në rast se këto ditë të shpallura zyrtarisht si ditë pushimi nga ana e palës greke mund të çojnë në një ndërprerje të punës edhe nga ana e doganës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›