E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet e falsifikuara përplasin policinë me Sigurimet Shoqërore

Hetimet për pensionet e falsifikuara përplasin policinë e Elbasanit me Sigurimet Shoqërore. Drejtoria e Policisë së Qarkut dhe Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore kanë dalë ditët e fundit me deklarata zyrtare që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Jo më shumë se dy ditë më parë policia ka njoftuar zyrtarisht nisjen e procedimeve penale për pesë specialistë të Drejtorisë së Sigurimeve, nën akuzën "Shpërdorim i detyrës i kryer në bashkëpunim". Sipas burimit zyrtar, bëhet e ditur se në kuadër të operacionit "Tuneli" ka filluar çështja penale në gjendje të lirë ndaj kryetares së degës së përfitimit të pensioneve, F.Arapi, si dhe të inspektoreve L.Zjarri, A.Daja, A.Bilbilushi dhe Zh.Suli, e motivuar kjo se "në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullave dhe detyrave sipas ligjit për sigurimet shoqërore për caktimin e administrimin dhe pagesën e pensioneve". Ndërkohë, po sipas burimit zyrtar të policisë sqarohet se procedimi penal ndaj këtyre inspektoreve ka nisur për shkak se sektori i krimit ekonomik ka nisur të njëjtin procedim penal ndaj nëntë pensionistëve, nën akuzën e falsifikimit të certifikatave nga zyra e gjendjeve civile, që rezultojnë me moshë të ngritur fiktivisht. Dje, kreu i sigurimeve për Qarkun e Elbasanit, Pavllo Jorgaqi, është detyruar të kërkojë ndihmën e mediave për të kumtuar një deklaratë të tijën zyrtare. Sipas pohimeve të tij, mësohet se në kuadër të verifikimit të dosjeve të pensioneve janë konstatuar disa raste me certifikata ku të dhënat janë të ndryshme nga ato të regjistruara në dosjet me të cilat paguheshin këto pensione. "Mes nesh dhe policisë ka një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe korrekt, por dëshiroj që përmes kësaj deklarate të saktësoj se emrat e punonjësve të DRSSH-së Elbasan, të publikuar nën hetim një ditë më parë, në fakt janë punonjësit të cilët kanë zbuluar këto shkelje", ka deklaruar Jorgaqi. Ndërkohë, sipas burimeve jozyrtare mësohet se të pesta inspektoret e sigurimeve shoqërore, që janë akuzuar publikisht dhe zyrtarisht për "shpërdorim detyre në bashkëpunim" mund t‘i drejtohen gjykatës duke akuzuar policinë për "Shpifje dhe cenim të figurës së punonjësit të administratës". Por, sipas kreut të sigurimeve, Pavllo Jorgaqi, ky i fundit së bashku me gjithë stafin e tij është i gatshëm të hetohen në lidhje me këtë çështje, ndërsa, gjithmonë sipas tij, çrregullimet në lidhje me certifikatat janë duke u riparuar dhe pensionistët që kanë fituar një pension të padrejtë janë duke kryer veprimet e kthimit të parave të marra padrejtësisht. Sidoqoftë, kjo është hera e parë që dy institucione shtetërore në Elbasan përplasen publikisht në këtë mënyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›