Vdes mistershëm emigranti, dyshohet vetëvrasja
Një emigrant beratas ka humbur jetën katër ditë më parë, ndërkohë që dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje të ndodhur për motive të panjohura. Emigranti Gëzim Agalliu ka humbur jetën në San Marino, ku jetonte dhe punonte prej vitesh. 39-vjeçari, i lindur në lagjen "Çlirim" të qytetit të Beratit, ka mbërritur pa jetë në banesën e tij mbrëmjen e djeshme. Bashkëshortja dhe të afërmit kanë marrë lajmin për vdekjen e 39-vjeçarit katër ditë më parë. Ka qenë një i afërm i familjes që ka njoftuar në Berat se Gëzim Agalliu kish gjetur vdekjen. Ky i fundit mësohet se ish gjetur pa jetë në banesën e tij, ndërkohë që menjëherë është bërë dhe njoftimi i familjarëve. Ata kanë mësuar për vdekjen e 39-vjeçarit dhe menjëherë kanë nisur procedurat për tërheqjen e trupit. Trupi i pajetë ka arritur në Berat të shtunën në mbrëmje, ndërsa dje paradite është përcjellë për në banesën e fundit. 39-vjeçari, baba i një fëmije, mësohet se jetonte prej vitesh në Itali, si emigrant i ligjshëm. Ai jetonte dhe punonte në qytete të ndryshme të Italisë gjatë emigrimit disavjeçar, por muajt e fundit ishte vendosur në shtetin e vogël të San Marinos, me disa të njohur të tjerë. Emigranti mësohet se kishte një jetë të rregullt dhe mbante lidhje me familjarët e tij në qytetin e Beratit. Këta të fundit mësohet se janë njoftuar për vdekjen e djalit të tyre, por nuk dinë shumë rreth shkaqeve të saj. Ata janë njoftuar se 39-vjeçari kish gjetur vdekjen aksidentalisht. Ndërkohë, burime të Komisariatit të policisë së Beratit thonë se bëhet fjalë për një vetëvrasje, por nuk dihen shkaqet dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur kjo. Ky është rasti i tretë në një muaj, kur emigrantë beratas kthehen pa jetë pranë familjeve të tyre. Më herët këtë muaj gjetën vdekjen në Itali edhe dy emigrantë të tjerë nga Berati, njëri prej të cilëve ishte vrarë në rrethana ende të panjohura për familjarët.