Vrasja e Konomit, gjykatat pezullojnë seancat për disa minuta

Gjykatat e vendit kanë pezulluar për disa minuta seancat e sotme, në shenjë solidarizimi për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën ditën e premte si pasojë e shpërthimit të makinës në të cilën udhëtonte. Ditën e djeshme, kreu i shtetit Bamir Topi ka vizituar familjen e gjyqtarit, duke shprehur dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe në mënyrë të veçantë, sistemin gjyqësor.
Ndërkohë edhe pse kanë filluar hetimet intensive, fill pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Vlorës, por edhe mbarë opinionin publik shqiptar, atentati mafioz kundër gjyqtarit Skerdilajd Konomi vijon të mbetet i mbuluar me mister.
Ndërkohë që hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi vazhdojnë, policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë eurosh, për informatorin i cili do të japë të dhëna për identitetin e atentatorëve të këtij krimi të rëndë.