Dosja Hoxha, ish-shikasi tregoi emrat e shokëve
Ish-kreu i SHIK-ut të Lezhës, Martin Miraj, që mendohej si dëshmitari kyç i procesit më të gjatë gjyqësor në Shqipëri, ka treguar të gjithë dinamikën e veprimeve që shërbimi i fshehtë ka bërë pas mbërritjes së Remzi Hoxhës në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës. Burime nga prokuroria thanë se Gjykata e Krimeve të Rënda ka pyetur tri ditë më parë në kryeqytetin italian një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm, i cili ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1997. Edhe pse shpresohej shumë te dëshmia e Mirajt, të paktën për të hedhur dritë mbi mënyrën se si vdiq biznesmeni, apo dhe vendin ku preheshin eshtrat e tij, pas marrjes në pyetje të ish-shikasit duket se nuk ka shumë entuziazëm në radhët e akuzës, megjithatë dëshmia e Mirajt ka vlerë për faktin se ai ka treguar me emra personat që janë marrë me pyetjen dhe hetimin e Remzi Hoxhës, duke përforcuar kështu akuzat ndaj personave që janë marrë të pandehur për këtë ngjarje. Seanca e pyetjeve u zhvillua në qytetin e Romës në Itali dhe të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të ambasadës shqiptare dhe përfaqësues të prokurorisë, gjykatës dhe avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Miraj është shprehur se Remzi Hoxha ishte sjellë në Vain nga Tirana dhe madje atë e shoqëronin në hetime po agjentët sekretë të kryeqytetit. Për sa dijeni kishte ish-kreu i SHIK-ut të Lezhës, biznesmeni Hoxha akuzohej se ishte agjent i UDB-së dhe se po pyetej atje rreth aktivitetit të tij në këtë drejtim. Teksa ka treguar emrat e personave që e hetonin, Miraj ka mohuar të ketë dijeni për mënyrën se si vdiq biznesmeni, apo dhe vendin ku ai mund të jetë varrosur, të dhëna këto që mendohej se do të merreshin prej tij. Emri i Martin Mirajt ka dalë gjatë hetimeve për vdekjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, por është dashur kohë që të gjendej vendndodhja e tij në Itali. Menjëherë pasi kanë mundur të zbulojnë vendstrehimin e Mirajt, në pamundësi për t’i marrë deklarimet, gjykata vendosi që ta pyesë në Itali.
Ndërkohë, dy gjykata italiane ekzekutuan më 23 dhe 25 qershor letër-porositë e drejtësisë shqiptare në pyetjen e tre dëshmitarëve për llogari të gjykimit të dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Pyetja e dëshmitarëve Riza Shehu dhe Flutura e Gjok Hasanaj u realizua në Itali, sepse ata banonin atje. Në Gjykatën e Trevizos, Itali, u pyet dëshmitari Riza Shehu. Ndërkohë që në Gjykatën e Pistoias është mundësuar pyetja e dëshmitarëve Flutura e Gjok Hasanaj. Dëshmitarët janë pyetur rreth dijenive që kanë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995, ngjarje për të cilën akuzohen tre ish-funksionarë të shërbimit sekret. Bëhet e ditur se nga pala shqiptare të pranishëm në seancat e ekzekutimit të letër-porosive kanë qenë gjyqtari kryesues i kësaj dosjeje te Krimet e Rënda, Gurali Brahimllari, si dhe përfaqësuesi i akuzës në çështje, prokurori Xhevat Hana. Pyetjet e palëve në gjykimin në Shqipëri u janë drejtuar dëshmitarëve Shehu dhe Hasanaj nga ana e gjykatësve italianë. Bëhet e ditur se dëshmitarët kanë mbajtur të njëjtën “linjë” me deklarimet e dhëna prej tyre në fazën e hetimeve paraprake. Në vitin 1995, dëshmitari Shehu ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Ndërsa dy dëshmitarët Hasanaj kanë qenë pjesë e personelit të një baze sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas prokurorisë dyshohet të jetë torturuar dhe më pas zhdukur Remzi Hoxha.
#