E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri pas kundërshtimit, daja qëllon nipin me pistoletë

Pasi ka plagosur djalin e motrës, 17-vjeçar, Andi Çela është vetë plagosur. Të dy tashmë ndodhen të shtruar në spitalin e Elbasanit

Plumba nipit 17-vjeçar, pse guxoi ta kundërshtojë atë teksa ishin duke konsumuar pije alkoolike. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16.00 në një lokal në fshatin Vidhas. Andi Çela 25 vjeç, me banim në këtë fshat, ka qëlluar me pistoletë nipin e tij Desjan Sala 17 vjeç, ndërsa të dy kanë qenë duke frekuentuar pije alkoolike.

Dëshmia

Sipas dëshmitarëve okularë, mes 25-vjeçarit dhe djalit të motrës së tij ka patur një konflikt banal, ndërsa ata po vazhdonin të pinin vazhdimisht alkool. Konflikti ka ardhur duke u tensionuar aq sa dajua ka nxjerrë pistoletën që mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të nipit 17-vjeçar. Me gjithë se është përpjekur t’u shpëtojë plumbave të dajos, adoleshenti ka mbetur i plagosur. Rasti ka lënë të shokuar të pranishmit, të cilët nuk e kanë besuar një konflikt të tillë. Është dashur ndërhyrja e pronarëve të lokalit dhe klientëve aty pranë për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme.

Në spital

Më pas është lajmëruar policia, ndërsa Desjan Sala është nisur me urgjencë në spitalin kirurgjik të Elbasanit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë operatore, por sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e parandalimit dhe të hetimit të krimit të komisariatit të policisë, oficerët e krimeve të rënda kundër personit dhe ekspertë të kriminalistikës. Nga administrimi i provave ka rezultuar se autori i ngjarjes, Andi Çela, së bashku me nipin Desjan Sala, pasi kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku pas këtij konflikti daja Andi Çela ka qëlluar me armë zjarri nipin. Nga këmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur lehtë në dorë edhe 25-vjeçari agresor. Dëshmitarë okularë treguan se skena e ngjarjes ka qenë e tillë: Pas konfliktit me fjalë fyese, i ndodhur nën efektin e alkoolit, daja nuk e ka pranuar sfidën e nipit dhe ka nxjerrë pistoletën. Në atë çast nipi ka tentuar ta paralizojë dajën që mbante pistoletën në duar, por arma është shkrepur dhe plumbi ka plagosur lehtë në dorë Andi Çelën dhe ka qëlluar në trup nipin e tij Desjan Sala. Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Elbasanit, e cila ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar pistoleta që ai mbante pa leje F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›