Vrasja e Paulin Markut, lirohet i dyshuari

Lihet i lirë i akuzuari për vrasjen e pukjanit Paulin Marku. Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë Astrit Vladin, i cili u kap nga policia e kryeqytetit një ditë pas vrasjes. Në seancën e masës së sigurisë e cila u zhvillua në organin gjykues të Tiranës, Prokuroria ka kërkuar që ai të mos mbahet në qeli, pasi uniformat blu nuk kishin sjellë prova të mjaftueshme për të provuar fajësine e Vladit për vrasjen e Paulin Markut, e cila ndodhi në 16 gusht te kthesa e Kamzës. Ndërkohë mësohet se në dëshminë e tij, 34 vjecari ka mohuar këtë vrasje duke dhënë edhe një alibi e cila është edhe e vërtetuar me pamje filmike.
"Unë kam qenë në kafe ne momentin që është qëlluar Paulin Marku", kështu është shprehur në dëshminë e tij para oficerëve të policisë gjyqësore. Madje avokati i tij ka paraqitur edhe pamjet filmike teksa Vladi ka qenë i shoqëruar me një vajzë duke dalë nga lokali, pikërisht në orën kur është qëlluar për vdekje pukjani Paulin Marku. Ndërsa Gjykata e Tiranës pasi ka parë që organi i Prokurorisë nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për ta lënë në qeli 34 vjecarin Vladi, ka vendosur lirimin e tij.
Tashmë policia e Tiranës duhet që të rinisë edhe një herë hetimin për vrasjen e Paulin Markut duke siguruar prova të tjera për të identifikuar dhe arrestuar autorin që ka qëlluar për vdekje 30 vjecarin nga Puka.