Videot intime, gjobë 8 mijë euro nga ish-i dashuri për të mos i hedhur në internet
Një 23-vjeçare ka denoncuar në polici ish-të dashurin dhe kushërirën e saj, se e kërcënonin me tre video intime në këmbim të 8 mijë eurove. I akuzuari, pas arrestimit: Paratë ia kisha dhënë borxh, por ajo nuk m’i kthente
Tiranë Një 23-vjeçare në Tiranë është kërcënuar me disa video intime, në këmbim të një gjobe prej 8 mijë eurosh. Policia e Tiranës arrestoi një 33-vjeçar dhe mikeshën e tij për gjobëvënien, ndërsa në bashkëpunim me njëri-tjetrin kërcënonin të njohurën e tyre se do t’i publikonin kasetat në internet, nëse ajo nuk paguante paratë. Gentjan Krashi dhe Viola Merko akuzohen nga 23- vjeçarja se prej disa javësh i kanë bërë presion se do i hidhnin në internet tre video intime, në rast se nuk paguante 8 mijë euro. Hetimi paraprak i policisë dhe deklarimet e personazheve të kësaj historie kanë zbardhur shumë detaje të ngjarjes, e cila është konsumuar mes tensionit dhe presioneve në dy javët e fundit. Mësohet se denoncuesja ka deklaruar në polici se 33-vjeçari Gentjan Krashi ka qenë i dashuri i saj dhe tani ajo ishte në prag fejese me dikë tjetër. 23-vjeçarja ka deklaruar se pas ndarjes me Krashin, ky i fundit është lidhur me kushërirën e saj Viola Merko dhe të dy më pas e kanë kërcënuar nëpërmjet tre videove filmike që Krashi e kishte regjistruar atë në kohën kur ishin të lidhur. Fill pas shoqërimit të dy të dyshuarve, policia verifikoi telefonin e Krashit dhe konfirmoi faktin se aty gjendeshin tre video me minutazh 20-30 minuta secila, ku shfaqej denoncuesja dhe 33-vjeçari i arrestuar. Porsa ka faktuar ekzistencën e videove, policia ka arrestuar 33-vjeçarin dhe kushërirën e viktimës, Merko, e cila ishte lidhur së fundmi me të. Policia ka marrë në pyetje të dyshuarin kryesor si “gjobëvënës” në këtë histori, 33- vjeçarin Krashi, i cili nga ana e tij ka pretenduar se videot janë xhiruar me aparatin e tij celular me dëshirën e tij dhe të denoncueses. “Aparatin celular e vendosëm në mur në hotel dhe të dy e dinim që po filmoheshim”, -është shprehur në polici ai. Nga ana tjetër, në lidhje me kërcënimet se do të publikonte videot nëse ish-e dashura nuk do i jepte 8 mijë euro, i akuzuari kryesor u shpreh se këtë shumë lekësh ish-e dashura ia kishte marrë borxh dhe nuk ia kthente. Burimet policore sqaruan dje për MAPO-n se arrestimi i të afërmes së denoncueses është bërë se ajo ka mbështetur dhe ka ndihmuar 33-vjeçarin Krashi për “t’i çuar mesazhet kërcënuese” vajzës që kreu denoncimin. A arrestuara Merko kishte disa javë që ishte lidhur me Gentjan Krashin dhe akuzohet se ishte pjesë e skemës së shantazhit në këmbim të 8 mijë eurove. Policia ka marrë në pyetje dhe të tjerë familjarë të të arrestuarve dhe të denoncueses, ndërsa do të vazhdojnë hetimet në lidhje me verifikimin e pretendimeve të kundërta mes palëve në lidhje me shumën prej 8 mijë eurove, për të sqaruar nëse 33-vjeçari ia kishte dhënë borxh më parë apo jo.