E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e biznesmenit, dyshohet për ekzekutim me pagesë për hakmarrje

SHKODëR - Pas 24 orësh nga vrasja e biznesmenit shkodran, Astrit Meshnuni, Drejtoria e Policisë së Shkodrës nuk ka arritur ende që të identifikojë autorin apo të afrohet tek motivet që çuan në këtë krim të rëndë. Gjatë ditës së shtunë, në qytetin e Shkodrës, vrasja e biznesmenit dhe misteret e këtij krimi kanë krijuar ankth e pasiguri tek qytetarët. Aksioni i policisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe zbulimin e autorëve ka vazhduar me intensitet të plotë, por deri në orët e vona të ditës së shtunë nuk ka asnjë pistë konkrete apo emër të autorit të vrasjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se "qëllimi i personit që i ka dalë në pritë me armë Astrit Meshnuni ka qenë ekzekutimi i tij, dhe jo i gruas e vajzës që ishin me të". Burime zyrtare konfirmojnë se është duke u hetuar në disa pista. Deri tani blutë e Shkodrës pohojnë se Astrit Meshnuni nuk ka pasur konflikte vitet e fundit, ku ndër parësorët mbetet ndonjë konflikt i vjetër, mbase i harruar nga viktima. "është përcaktuar se ekzekutimi është bërë vetëm nga një person. Autori i vrasjes nuk është përpjekur të fshihet. Ai ka ekzekutuar Meshnunin pa maskë dhe me breshëri direkte me automatik 'Kallashnikov mod-53'", - shtojnë burime të policisë së Shkodrës. Burime nga grupi hetimor japin dhe detaje të tjera lidhur me autorin e krimit. "Vrasësi ka qenë një person i seksit mashkull, mesoburrë, me trup të mbushur dhe i shkurtër", - pohojnë burimet pranë grupit hetimor. Sipas policisë, ndër pistat e hetimit është dhe ajo e vrasjes me pagesë. Në funksion të zbardhjes së motiveve të ngjarjes dhe autorëve, policia, deri në orën 22:00 të ditës së shtunë ka shoqëruar 25 persona.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›