Godet me thikë një 18-vjeçar, pranga bashkëfshatarit
Një tjetër plagosje regjistrohet në Rrethin e Lushnjës. Dy të rinj, nga fshati Grabian, komuna me të njëjtin emër në Rrethin e Lushnjës, janë grindur dhe më pas kanë arritur në përdorimin e thikave. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës tregojnë për gazetën se dy të rinjtë e përfshirë në sherr janë Bardhyl Gjata dhe Manuel Nani, përkatësisht 19 dhe 18 vjeç. Burimet zyrtare të policisë tregojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të së premtes, kur 19-vjeçari Gjata i ka bërë pritë 18-vjeçarit Nani, në rrugën që lidh qytetin e Lushnjës me fshatin Grabian. Gjata i ka dalë në befasi Nanit, në afërsi të vendit të quajtur “Depoja e ujit” dhe më pas e ka qëlluar disa herë me grushte. Me qëllim paralizimin e tij e ka qëlluar atë dy herë me thikë, në shpatull dhe bark. Ndërsa autori është larguar nga vendi i ngjarjes, kalimtarët e rastësishëm kanë mundësuar transportimin e tij drejt Spitalit civil të Lushnjës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë i plagosuri ai që ka thënë për policinë emrin e autorit, e që mundësoi arrestimin e këtij të fundit vetëm pak orë pas veprës së kryer. Dy të rinjtë janë përfshirë në sherr për një çështje morali, detaje të së cilës nuk jepen nga policia për arsye hetimi.
#