Kapet skafi në radar, policia bllokon rreth 700 kg kanabis
Thoma Nika, Bledi Gilaj
Në Gjirin e Bunecit policia ka dalë fituese në përballjen e saj me rrjetin e narkotrafikut për të kaluar në ishullin helen të Korfuzit sasinë më të madhe të lëndës narkotike. Në përpjekjen e vet më të fundit, një segment i këtij rrjeti kishte llogaritur që të kalonte nëpër natë sasinë prej 676.25 kg lëndë narkotike. Në dispozicion të këtij plani trafikimi rezultoi se ishte vënë një grup dhe një furgon i bardhë me targa angleze, që mbrëmjen e të premtes kishte ndalur në Gjirin e Bunecit. Natën e 12 marsit ishte planifikuar që në limanin e Bunecit apo diku në afërsi të tij të vinte një skaf i shpejtë nga Korfuzi, për të kryer transportimin e lëndës narkotike.
Informacioni në radarNga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës, e pajisur me aparatura dixhitale, e inauguruar kohët e fundit, dy net më parë u dha rezultati i parë. Në orët e vona të ditës së premte, prej saj u bë i mundur identifikimi i një mjeti lundrues, skaf, i cili po tentonte të vinte nga ishujt në veri të Korfuzit, në drejtim të brigjeve shqiptare. Menjëherë nga kjo qendër, pjesë e së cilës janë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, janë informuar shërbimet policore të zonës përreth, me qëllim marrjen e masave si nga toka, ashtu dhe nga deti për kontrollin e territorit. Në vijim të këtij operacioni nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, të premten, rreth orës 22:15, në vendin e quajtur plazhi i Bunecit-Sarandë, u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth prej 676.25 kg lëndë narkotike e llojit kanabis. Kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili deklaroi se operacioni u realizua në bashkëpunim me disa qytete, e që do të vijojë gjatë ditëve të tjera. Sipas Burgajt, nga informacionet e grumbulluara rezulton se kjo sasi lënde narkotike do të trafikohej në drejtim të vendeve fqinje. “Theksojmë se me inaugurimin e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare nuk do të ketë asnjë rast të trafikimit që do të kalojë pa u konstatuar e pa u kapur nga strukturat e policisë së shtetit shqiptar apo shteteve fqinje. Bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit në vendet fqinje do të jetë shumë i shpejtë, duke bërë të mundur ndërhyrjen në kohë dhe bllokimin e çdo tentative për trafiqe të paligjshme”, deklaroi Burgaj.
Shefi i komisariatitKryekomisar Besim Pallamani, shef i Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë thotë se për prishjen e këtij plani dhe bllokimin e narkotrafikut ndërkombëtar, prej orës 22:00 të mbrëmjes së 12 marsit nisi një operacion i mirorganizuar policor, që ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Operacioni është kryer me pjesëmarrjen e forcave të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me ato të kufirit dhe seksionin kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë. Si rezultat i tij është bllokuar jo vetëm furgoni, por edhe protagonisti i kësaj ngjarjeje, që ka shënuar sasinë më të madhe të lëndës narkotike të kapur ndonjëherë në jugun e vendit e madje edhe në shkallë vendi. Për këtë arsye, para mediave ka dalë vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj, paraditen e djeshme. Ai ka deklarua se gjatë kohës së lartpërmendur, në Gjirin e Bunecit, është gjetur furgoni i tipit “Benz”, me targa RO51UUJ, në ngjyrë të bardhë dhe timon në krah të kundërt. Ngarkesa e tij ishte sasia e lëndës narkotike kanabis sativa, e sistemuar në 18 çanta sportive me ngjyrë të zezë. Nga peshimi ka rezultuar me peshë prej 676.25 kg. Verifikimet e bëra kanë treguar se automjeti drejtohej nga Kledian Koka, 31 vjeç, lindur në Progonat dhe banues në Lagjen Nr.3 të Sarandës. Policia tha se ai ka përfituar nga terreni i thyer dhe nga errësira, për t’u larguar nga automjeti i ngarkuar me lëndën narkotike. Pas identifikimit ka rezultuar i skeduar nga policia, pasi ka qenë dënuar më parë në shtetin grek me 4 vjet e gjysmë burg për veprën “trafik narkotikësh”. Pas 12 orësh kërkimi, ai ka rënë në duar të policisë, ndërkohë që kërkimi vazhdon për persona të tjerë, që mendohet se janë bashkëpunëtorë, ende të paidentifikuar, me 31-vjeçarin Kledian Koka, të përfshirë në këtë rrjet të narkotrafikut ndërkombëtar.
Kapja e të dyshuaritKryekomisar Besim Pallamani, shef i Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë, tha se nga ana e policisë u morën të gjitha masat dhe u punua me profesionalizëm për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj vepre penale, që është “trafikim i lëndëve narkotike”. Me bindjen se Kledian Koka duhej të gjendej i fshehur jo shumë larg territorit ku u gjet furgoni i ngarkuar me marijuanë, kërkimi i tij vazhdoi derisa u gdhi dita e shtunë, duke vazhduar edhe në orët e paradites së djeshme. Duke qenë se nuk po bihej tamam në gjurmë të tij, u bë në mënyrë demonstrative largimi i automjeteve dhe i uniformave të policisë nga territori i vënë në kërkim. Kjo la përshtypjen se kërkimi mbaroi pa rezultat dhe forcat policore u tërhoqën. Por në pika kyçe të kërkimit u vunë njerëz civilë, që vazhduan të plotësonin detyrën e kërkimit të protagonistit të ngjarjes së Bunecit. Kjo nuk u mendua prej tij dhe duke besuar që “ia hodhi” me kaq, i kërkuari Kledian Koka ngjitet për në fshatin Piqeras, hyn në të dhe rreth orës 11:30 të paradites së djeshme drejtohet nga kafja e fshatit, ku kërkon një shishe ujë. Pikërisht ky ka qenë edhe momenti i prangosjes së tij nga dy agjentë të veshur civilë, te të cilët mësohet se ai u dorëzua pa bërë asnjë rezistencë.
“Leximi” i parë i radaritNë Komisariatin e Sarandës thonë me bindje se episodi i djeshëm i narkotrafikut të ndalur në Gjirin e Bunecit, përfaqëson kapjen e sasisë më të madhe të lëndës narkotike, në kronikën e regjistruar në vite në jugun shqiptar. Sipas tyre, ajo vjen pas një sasie të përafërt të kapur gjithashtu në brigjet e Sarandës në vitin 2005. Rasti më i fundit vlerësohet i veçantë jo vetëm për disa kilogramë më tepër, që shënoi ngarkesa më e fundit e drogës që synonte Korfuzin. Ai do të kujtohet edhe si rezultati i parë i shënuar nga hyrja në funksionin e qendrës satelitore dhe e sistemit radar të ngritur në Durrës. Në Komisariatin e Policisë së Sarandës thanë se, falë këtij sistemi bashkëkohor vrojtimi, u konstatua edhe në kushtet e natës se një skaf ishte duke iu afruar brigjeve të Bunecit, që nuk ka dyshim se ishte ai që do të bënte transportimin e marijuanës për në Korfuz. Nga radari u regjistrua se në largësinë 5 milje nga bregu, skafi është kthyer mbrapsht, duke shmangur kështu edhe kapjen e pjesës tjetër të rrjetit të narkotrafikut ndërkombëtar, që vepron në anën tjetër të kufirit.
#