Pranga tre të kërkuarve për vjedhje dhe vrasje me paramendim
Efektivat blu të komisariateve Fier e Lushnjë, kanë vënë në pranga tre persona të shpallur në kërkim. Të kërkuarit janë banorë të Lushnjës dhe të Fierit dhe kërkoheshin për veprën penale të vjedhjes. Burimet zyrtare të Policisë së Lushnjës pohojnë se mbrëmjen e së premtes është arrestuar Agron Tafa, 28 vjeç, banor i lagjes “Karbunarë e Madhe”, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “të vjedhjes”. Për të njëjtën akuzë është ndaluar dhe 29-vjeçari Leonard Leço, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e kishte dënuar me gjashtë muaj burg. Ndërkaq, në prangat e policisë ka rënë edhe ëngjëllush Agallija, 39 vjeç, banues në fshatin Kraps, Rrethi i Fierit. Mësohet se ndaj Agallijës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “vrasje me paramendim”. Burimet zyrtare të policisë së Fierit saktësojnë se 39-vjeçari e ka kryer vrasjen në Greqi katër vjet më parë, gjatë kohës që ishte emigrant. Burime nga policia e Fierit pohojnë për “Shqip” se ai ka vrarë një bashkatdhetarin e tij, për çështjen e një shume parash. Tashmë, 39-vjeçari do të presë ekstradimin drejt Greqisë, ku do të vuajë edhe dënimin për vrasjen e kryer.
#