E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e emigrantit, babai: Po shkonte te e fejuara

FIER - Babai i të fejuarës së Leonard Hazizajt, 32-vjeçarit të vrarë me pesë plumba në kokë rrëfen se si të enjten kishte pritur që dhëndri t'i vinte në shtëpi për ditëlindjen e vajzës, por pritja kishte qenë e kotë. Ndërkohë, kryefamiljari tregon për ditën e fundit të djalit të tij. Ai thotë se i biri kishte rreth tetë muaj që ishte kthyer nga Greqia ku kishte qëndruar si emigrant për një kohë të gjatë dhe kishte vendosur që të mos largohej më duke hapur një dyqan ku rregullonte pajisjet elektroshtëpiake. Ai ishte fejuar me një vajzë 17-vjeçare, banore të fshatit Frakull të Fierit, e cila pikërisht ditën e vrasjes së tij kishte pasur ditëlindjen, por s'ka mundur të festojë pas pusisë së ngritur për ta grabitur e më pas për ta vrarë.
Rrëfimi i babait
"Rreth orës 18:00 të së enjtes në darkë më mori krushku e më thotë që e ftonte Leonardin të shkonte në shtëpinë e tij, pasi e bija kishte ditëlindjen. Kur im bir erdhi nga puna i thashë që e mori krushku në telefon pasi Fidajetja, e fejuara e djalit, kishte ditëlindjen. Leonardi e mori krushkun e i tha se do të nisej. Pasi hëngri bukë, rrëfen Kismet Hazizaj, djali mori makinën dhe iku në drejtim të Frakullës, aty ku banon krushku. Para se të ikte, mori një tortë dhe u largua. Pritëm për të marrë ndonjë haber për mbërritjen e tij, por asnjë përgjigje. Kaluan disa orë dhe e mora djalin në telefon. Por nuk mora asnjë përgjigje, pasi telefoni ishte i mbyllur. Më pas mora në telefon krushkun, i cili më tha se djali nuk kishte mbërritur. Më pas nuk më mori më në telefon. Të nesërmen i telefonova sërish, por im bir nuk kishte shkuar te nusja. Pastaj nisëm ta kërkojmë dhe njoftuam edhe policinë. Ngjarjen e rëndë e morëm vesh më vonë. Djalin ma kishin vrarë. Policët fillimisht më thanë se ishte në polici bashkë me makinën. U gëzova, por më vonë më treguan se ç'kishte ngjarë..."
Ndërsa Bujari, daja i viktimës, tregon: pasi djali ishte gjetur i vrarë, shkuam në polici dhe na thanë se kishin kapur një rom që e kishte vrarë djalin dhe e kishte pranuar vrasjen. Edhe dy të tjerë ishin në kërkim. Aty dëgjuam se vrasësi kishte thënë që e kishte vrarë djalin, pasi në kohën e trazirave, në vitin 1997, i kishte vrarë të atin. Por kjo është gënjeshtër.
Vjehrri i Leonardit, Viktor Xhulaj, rrëfen se dhëndri i tij është gjetur rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij. "Dhëndri ishte te shtëpia ime para tri ditësh, pasi solli vajzën që e kishte marrë te shtëpia e tij në Strumë. Atë ditë i thashë edhe për ditëlindjen e çupës. Ai pranoi, por tha që do të bisedonte me pleqtë. Dhe e mbajti fjalën. Rreth orës 18:30 të së enjtes më mori në telefon dhe më tha se ishte nisur. Duke llogaritur trafikun dhe rrugën, thashe se për një orë do të mbërrinte. Por kaloi më shumë se një orë dhe unë i bëra një zile. Telefoni i tij ishte i fikur. Kështu ndodhi edhe më pas kur ora kaloi 20:30 dhe telefoni vijonte të ishte i fikur. Mendova se mos i ishte prishur makina, por vetëm të nesërmen e mora vesh nga miqtë e mi se e kishin vrarë.
32-vjeçari u gjet i vrarë të shtunën në Levan të Fierit. Në trupin e tij janë gjetur shenja plumbash, gjë që vërteton se vdekja e tij ka ardhur nga armë zjarri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›