E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Asamblesë së PS, Ruçi: Dialog, vetëm nëse hapen kutitë

TIRANË- Partia Socialiste e ka të qartë qëndrimin e saj lidhur me kërkesën e vazhdueshme të mazhorancës në drejtim të opozitës për të gjetur një gjuhë të përbashkët mirëkuptimi e dialogu. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi dje se nuk do të ketë dialog me mazhorancën, pa u hapur kutitë e votimit, një hap ky që do të çonte në transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Sipas Ruçit, opozita është e hapur për dialog, por ai duhet të fillojë nga hapja e kutive të votimit. "Jemi të hapur për dialog, por ai fillon nga hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të Qershorit 2009", - tha dje Ruçi. Lidhur me zërat, që janë përhapur për një përçarje midis Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, kur në mitingjet e fundit të Partisë Socialiste nuk u ftuan të marrin pjesë disa eksponentë të partive të vogla të majta si dhe disa drejtues të partive opozitare të qendrës së djathtë, Ruçi vuri në dukje se Partia Socialiste nuk është përçarë me aleatët e saj tradicionalë. Për më tepër, sipas tij, partia më e madhe opozitare ka vendosur edhe aleanca me ish- aleatët e dikurshëm të Kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa shtoi se përveç këtyre aleatëve partiakë, Partia Socialiste në aksionin e saj politik për hapjen e kutive të votimit ka edhe mbështetjen e gjerë të shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike. "Nuk ka kthim mbrapa. Partia Socialiste është e qartë në aksionin e saj politik. Partia Socialiste tashmë jo vetëm që ka aleatë tradicionalë të vet por ka edhe ish-aleatët e Sali Berishës, e mbi të gjitha Partia Socialiste sot ka një aleancë të gjerë që është populli shqiptar pavarësisht nga bindjet e tyre politike të majta, të djathta apo të qendrës", - u shpreh Ruçi. Gjatë ditëve të këtij fundviti ka pasur një ulje të toneve politike midis mazhorancës dhe opozitës, kur është vënë re edhe ftesa e Kryeministrit Berisha pak kohë më parë në Parlament drejtuar opozitës që vitin e ardhshëm ajo të bëhet pjesë e Kuvendit. E njëjta ftesë u adresua edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Të gjithë liderët e mazhorancës, veçanërisht Kryeministri Berisha, i kanë bërë thirrje opozitës për të qenë në Kuvend, duke iu premtuar se do të realizohet çdo kërkesë e spektrit opozitar, por pa pranuar kërkesën primare të saj, që është hapja e kutive të votimit, kërkesë për të cilën opozita ka bojkotuar Kuvendin, që nga zgjedhjet e parlamentare të 28 Qershorit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›