E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e gjyqtarit: Bomba me celular, u prodhua në Malin e Zi

Skerdilajd Konomi me bashkeshorten

Mbetje celulari dhe pluhur magneti janë gjetur në vendin ku ndodhi shpërthimi, që i mori jetën gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.Burime të Policisë së Shtetit thanë se gjyqtari magjistrat u ekzekutua me eksploziv të llojit C4, që është komanduar në distancë me anë të një celulari. Pikërisht mbetjet e këtij celulari që ka aktivizuar shpërthimin janë gjetur në vendin e ngjarjes. Aty hetuesit kanë marrë edhe mostrat e pluhurit të eksplozivit, si dhe disa thërrmija të tjera që kanë rezultuar të jenë magnet dhe që dyshohet se kanë qenë pjesë e mekanizmit të bombës. Sipas të dhënave të hetimit, sasia e lëndës plasëse ka qenë 400-500 gramë. Ky është varianti i përfundimit paraprak që kanë arritur ekspertët kriminalistë dhe ata të Antiterrorit, pasi kanë verifikuar me imtësi makinën me të cilën po lëvizte gjyqtari Skerdilajd Konomi kur ndodhi ngjarja. Burime nga grupi hetimor thanë se në automjet janë gjetur copa, në formë mbetjesh, të një telefoni të dytë celular, që nuk rezulton të jetë i viktimës, si dhe copa të vogla magneti. Sipas të njëjtave burime, këto elemente të gjetura në automjet, tashmë të sekuestruara në cilësinë e provës materiale, tregojnë se eksplozivi i përdorur për ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, në mes të Vlorës, është i llojit C4. Ekspertët e argumentojnë përfundimin e arritur me mënyrën se si ndërtohet një minë e tillë, si vendoset dhe si shpërthen. Mostrat e gjetura në vendin e ngjarjes janë marrë për ekzaminime, ndërsa hetuesit po punojnë për përcaktimin e markës së telefonit që është përdorur për bombën. Në rast identifikimi të aparatit telefonik me anë të pajisjeve teknologjike, hetuesit mund të gjejnë fakte domethënëse në lidhje me ngjarjen.
Bomba
Sipas tyre, copat e gjetura në vendngjarje i përkasin celularit që është pjesë e bombës. Qarku elektronik i celularit lidhet me kapsollën elektrike, ku është futur më parë eksplozivi plastik i llojit C4, e cila mbahet e lidhur nëpërmjet një magneti që nuk lejon shkëputjen e celularit nga eksplozivi. Mjafton vetëm një telefonatë nga një tjetër celular në atë telefon që është lidhur me minën dhe, në këtë moment, elektriciteti që shkakton rënia e ziles, shkakton detonimin e eksplozivit dhe, për rrjedhojë, shpërthimin e fuqishëm, që varet nga sasia e lëndës eksplozive. Nisur nga përmasat e shpërthimit, ekspertët shpjegojnë se sasia e eksplozivit C4 ka qenë rreth 400-500 gramë, pasi në rast se mund të ishte më shumë se kaq, rrezja e veprimit do ishte më e madhe dhe pasojat do ishin edhe më të rënda. Nisur nga eksperiencat e mëparshme, por edhe mekanizmi i shpërthimit, si dhe nga lloji i minës që dyshohet të ketë vrarë gjyqtarin Konomi, ekspertët kanë arritur në përfundimin se eksplozivi mund të jetë prodhuar dhe blerë në Malin e Zi. Burime nga grupi hetimor thanë se mina me telekomandë e kësaj ngjarjeje është e ngjashme me disa mina, që janë sekuestruar para disa vitesh në Shqipëri dhe që vinin nga Mali i Zi, kundrejt çmimeve nga 2500-5000 euro. Megjithatë, edhe pse mbetjet e gjetura në makinë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shpërthimi i fuqishëm nuk ka lënë në to asnjë gjurmë që mund të shërbente për hetimin.

Pistat

Policia e Shtetit dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në dy pista. Versioni i parë dhe i detyrueshëm për verifikim është vrasja për shkak të detyrës ndërkohë; Pista e dytë dhe më e besueshme është vrasja për konflikte personale, konkretisht për konfliktet lidhur me pronat në zonën e Hamallajt dhe Gjirit të Lalëzit. ETLEVA DELIA

Topi në familjen Konomi: Akt mafioz nga krimi i organizuar

Presidenti Topi me familjarë të gjyqtarit të vrarë

Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj dhe anëtarë të kabinetit, ngushëlluan dje personalisht familjen Konomi për humbjen e njeriut të tyre, gjyqtarin Skerdilajd Kono-mi, si pasojë e një atentati me eksploziv në qendër të Vlorës.Kreu i Shtetit, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ngushëlloi familjarët e të ndjerit, ndërsa theksoi se atentati ndaj gjyqtarit Konomi është një akt mafioz dhe shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar. Topi dhe anëtarët e kabinetit të tij mbërritën në Vlorë një ditë pas homazheve të kryera për gjyqtarin nga kryeprokurorja Ina Rama, ministri i Drejtësinë, nënkryetari i KLD-së, deputetë si dhe kolegë të tij. Kreu i shtetit shprehu dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe, në mënyrë të veçantë, sistemin gjyqësor.
Nuk gjej fjalë për tju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal e barbar të paprecedent, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë, duke ju siguruar njëkohësisht se Shteti shqiptar dhe të gjitha strukturat përkatëse të zbatimit të ligjit po punojnë intensivisht për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë. Kështu u shpreh Presidenti Topi dje në familjen e Skerdilajd Konomit, ku të pranishëm ishin prindërit, gruaja, motra, por dhe të afërm të familjes. Pas vizitës në banesën e viktimës, kreu i shtetit iu përgjigj edhe interesimit të mediave. Erdha të ngushëlloj nga afër familjen Konomi, e cila realisht po përjeton momente të një dhimbjeje shumë të madhe, pas humbjes në mënyrë shumë tragjike të birit të saj, Skerdilajdit, ashtu sikurse edhe ju e keni përcjellë: nga ky akt mafioz. Çdo vrasje është barbare në vetvete, por mënyra e ekzekutimit të gjyqtarit Konomi është një shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar, krim me të cilin shteti dhe punonjësit e tij përballen çdo ditë. Përtej ngushëllimit, natyrisht që unë inkurajoj të gjithë punonjësit e shtetit. Së pari, punonjësit e Policisë, ata të Drejtësisë, qoftë prokurorët, qoftë gjyqtarët, punonjësit e shërbimeve të tjera, të cilët garantojnë jetën e qytetarit, që të vazhdojnë punën e tyre me vetëmohim. Të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë shumë profesionale, në mënyrë që krimi, jo vetëm të luftohet drejtpërdrejtë, por të parandalohet në veprimet e tij, u shpreh më tej Presidenti Topi. Sipas tij, jeta e gjyqtarëve, e punonjësve të shtetit, por edhe e qytetarit të thjeshtë duhet të jetë e garantuar. Ju e dini që krime ndodhin kudo. Ndodhin në Shqipëri, ndodhin edhe në vende të tjera të botës demokratike. Kjo është arsyeja që të gjithë janë të angazhuar për të qenë së bashku në luftën kundër krimit dhe terrorizmit ndërkombëtar, i cili nuk ka kufij. Ndodh këtu, ndodh atje dhe unë besoj se gjithë ai solidaritet i shprehur nga kolegët e Skerdilajdit, por edhe nga autoritetet më të larta të shtetit, tregon që ne jemi të gjithë së bashku për të forcuar ligjet e për të forcuar gjithçka që të bëjmë të mundur që jeta e gjyqtarëve, jeta e punonjësve të shtetit, por edhe jeta e qytetarit të thjeshtë të jetë e garantuar. VLORE/ QEMAL BIRAKU

Pushtetetarët e cilësuan akt terrorist

Ditën e ngjarjes makabre, të premten e 9 shtator

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›