Vrasja e gjyqtarit, shkarkime në policinë e Vlorës
12 ditë pas vrasjes makabre të gjyqtarit të gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi, bum shkarkimesh në policinë e Vlorës. Të gjithë krerët e bluve bregdetare kanë marrë njoftimin rrufe për të lënë postet e tyre pas firmës së ministrit të brendshëm Bujar Nishani.
Me urdhër të kreut të uniformave blu është larguar nga detyra drejtori i policisë së qarkut të Vlorës Ylli Metko dhe në vendin e tij ësHtë emëruar Nazmi Kotarja, drejtor i trajnimeve në drejtorinë e përgjithshme të policië së shtetit. Drejtori i policisë Metko ushtronte detyrën e tij në krye të policisë së Vlorës prej 5 vitesh.
Ndërkohë nga detyra është larguar edhe nëndrejtori i policisë së Vlorës Myftar Demirlika, i cili ka bërë rrokadë me nëndrejtorin e policisë së Korçës Elidon Veizi. Nga ana tjetër edhe shefi i komisariatit të qytetit bregdetar Nikolin Thana është larguar, duke u zhvendosur me të njëtin post në zonën e Ballshit, ndërkohë që zëvëndësohet nga Alfred Elezi, i cili ka ushtruar të njëjtën detyrë në komisariatin e Mirditës.
E mesa duket vrasja e bujshme e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në mes të qytetit me 9 shtator e cila ka mbetur ende pa autor ka sjellë dhe pasojat e saj në drejtorine e policisë së Vlorës. Sipas burimeve nga policia e shtetit mësohet se motivacioni për largimin e krerëve të policisë së qytetit bregdetar është pikërisht ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtarit Skerdialjd Konomi.
Edhe pse drejtori Hysni Burgaj e më pas eprori i tij Bujar Nishani kanë deklaruar se policia ka dhënë informacione të nevojshme për pistën që të çon në vrasjen e togës së zezë, ende nuk ka asnjë emër konkret. Ndërsa nga ana tjetër grupi hetimor i krimeve të rënda i përbërë prej tre vetash nuk jep asnjë të dhënë në lidhje me autorin e vrasjes së gjyqtarit, duke u treguar të rezervuar deri në përfundim të hetimit.