E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet niveli i depozitave në banka, më shumë mundësi për kreditim

TIRANË- Niveli i depozitave në banka ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti. Nga të dhënat e shoqatës së bankave rezulton se në fund të korrikut, pranë sporteleve bankare ishin depozituar rreth 866.6 miliardë lekë ose 41.6 miliardë më shumë se në fundin e 2010-ës. Ekspertët e ekonomisë rendisin disa arsye që kanë shtyrë qytetarët dhe bizneset që të mbyllin në banka kursimet e tyre.

“Një arsye më e përgjithshme është vazhdimi i thellimit të besimit të publikut në sistemin bankar shqiptar. Së dyti mendoj që ngjarjet e janarit dhe vazhdimi deri në zgjedhjet e majit shkaktuan një lloj pasigurie tek konsumatori shqiptar, i cili shfaq një tendencë më tepër drejt kursimit sesa drejt investimit. Ka dhe një arsye tjetër, që është ekzistenca e 16 bankave në tregun shqiptar c’ka rrit nivelin e konkurencës duke bërë oferta joshëse për konsumatorin”, tha Adrian Civici, ekspert i Ekonomisë.

Shtimi i depozitave krijon më shum hapësira për kreditim si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

“Rritja e depozitave i ka krijuar bankave më shumë mundësi për të dhënë kredi. Raporti kredi me depozita, si pasojë e shtimit të depozitave ne kemi kaluar nga niveli 64% të një periudhe të vitit të kaluar në 62,4%, cka tregon që bankat kanë më shumë likuiditet dhe mundësi për të dhënë kredi”, shtoi Civici.

Sipas të dhënave të shoqatës së bankave, deri në fund të korrikut, janë dhënë rreth 530 miliardë lekë kreid, me një rritje prej 39.7 miliardë kundrejt fundit të vitit të kaluar.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›