E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e këngëtarit, “Agimi i Artë” mund të dalë jashtë ligjit

Vrasja e këngëtarit grek me prirje të majta, antifashist dhe antiracist, ka risjellë në vëmendje skenarët për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë “Agimi i Artë”, edhe pse Kushtetuta greke nuk parashikon shpërbërjen e partive. 

Qeveria greke është duke shqyrtuar propozimet për klasifikimin e partisë neonaziste “Agimi i Artë” si një organizatë kriminale, gjë që do t’i hapte rrugë ndalimit të veprimtarisë së saj. 

Kryeministri grek Antonis Samaras dhe zv.kryeministri Evangelos Venizelos zhvilluan dje një takim urgjent për situatën, ku shqyrtuan dhe mbështetën propozimin e ministrit të i Rendit, Nikos Dendias që kjo parti të klasifikohet si “organizatë kriminale” dhe të shtrëngohet legjislacioni për grupet kriminale dhe të armatosura. 

Pas shpërthimit të dhunës dje pasdite, ministri i Rendit anuloi udhëtimet e planifikuara jashtë vendit dhe deklaroi se qeveria do të konsiderojë legjislacionin emergjent për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë “Agimi i Artë”. 

Greqia ka presione edhe nga ndërkombëtarët për qëndrimin që duhet të mbajë me partinë neonaziste. Kreu i grupit të deputetëve socialistë në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda paralajmëron Greqinë për presidencën e BE. “Nëse qeveria greke dështon për t'i dhënë fund sjelljes së urryer të "Agimit të Artë", presidenca greke është e papranueshme", është shprehur ai. Svoboda e cilësoi vrasjen e të riut, shokuese dhe të papranueshme për çdo vend të BE. Ai kërkoi nga qeveria e Parlamenti grek të marrin në konsideratë ndalimin e partisë "Agimi i Artë". 

Presidenti grek Karolos Papulias ka bërë thirrje për ndërgjegjësim politik. “Duhet vigjilencë institucionale dhe zgjim social për të luftuar një dukuri të neveritshme”, ka deklaruar presidenti. 

Në një deklaratë, kryeministri Samaras tha se “çdo grek dënon me urrejtje vrasjen e Pavlos Fissas”. Ai vërejti se vendi është në moment tejet kritik dhe se nuk është koha për grindje të brendshme, pasi dhuna shkatërron çdo perspektivë për Greqinë. Kryeministri siguroi se qeveria e tij është e vendosur të mos lejojë trashëgiminë naziste të helmojë vendin dhe të terrorizojë qytetarët që po bëjnë sakrifica. Duke përfunduar, Samaras siguroi se demokracia është më e fuqishme sesa mendojnë armiqtë e saj. 

Partia “Agimi i Artë” është aktualisht forca e tretë parlamentare, me 18 vende në parlamentin me 300 deputetë, e votuar nga afro 1 milionë grekë dhe duket se po forcon pozitat e saj për shkak të zemërimit popullor ndaj vështirësive ekonomike. 

Gazeta “The Guardian” thotë se “në këto kushte ekziston një shqetësim serioz, pasi udhëheqja e “Agimit të Artë” mund të humbasë kontrollin mbi përkrahësit e partisë, të cilët e shohin veten si ushtarë në një luftë të armatosur, me qëllim përmbysjen e një sistemi politik që fajësohet për sëmundjet e vendit”. 

Vrasja e këngëtarit 34 vjeçar Pavlos Fissas nga një person që ka lidhje me “Agimin e Artë”, shkaktoi zemërim dhe protesta, të cilat degjeneruan në përleshje mes protestuesve dhe policisë dhe në dhunë. Frika është se ngjarja do të shfrytëzohet për përshkallëzimin e reagimit popullor mbi gjendjen ekonomike, në të cilën është zhytur vendi. Policia është në gatishmëri për përballimin e situatës. 

Këngëtari i repit u vra natën e kaluar duke dalë nga një klub, pasi u përball i vetëm me një grup njerëzish të veshur me rroba të zeza, derisa njëri prej tyre, një 45 vjeçar (në foto) e qëlloi për vdekje. Këngëtari vdiq pas 20 minutash, dhe deri atëherë arriti t’i tregojë policisë se cili ishte personi që e qëlloi me thikë në zemër, gjë që çoi në arrestimin e tij të menjëhershëm. 

Deklarata e kryeministrit Samaras:
“E dimë të gjithë se vendi ndodhet në një moment tepër kritik. Dhe se populli ynë po duron sakrifica të mëdha. Për të fituar mbi krizën. Dhe për të arritur rilindjen e tij ekonomike. Nuk është ora për konflikte të brendshme. As për tension. Çdo lloj mosmarrëveshjeje politike zgjidhet me dialog demokratik, jo me dhunë – ngado që të vijë ajo-, dhe akoma më shumë, jo me gjak. Që na përçan brenda dhe na diskrediton jashtë Greqisë. Siç ndodhi dhe me vrasjen çnjerëzore të Pavlo Fyssas, të cilën çdo grek e dënon me indinjatë.
Po luftoj dhe do të luftoj deri në fund, që të përfundojë e përpjeta e saktificave të popullit grek. Mirëpo, tatëpjeta e dhunës shkatërron çdo perspektivë që të rifitojë Greqia atë që meriton: zhvillim, paqe dhe prosperitet. Le të respektojë pra, kushdo, mundin dhe sakrificat e popullit.
Dhe sigurisht, kjo qeveri është e vendosur të mos lejojë trashëgimtarët e nazistëve të heljmojnë jetën tonë shoqërore, të bëjnë krime, të terrorizojnë dhe gërryejnë themelet e vendit që lindi demokracinë. Demokracia është shumë më më e fuqishme nga sa mendojnë armiqtë e saj”.

(Balkanweb) Lidhje te tjera Vrasja e këngëtarit, protesta të dhunshme në Athinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›