E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e kryekomisarit, policia zbardh skemën e krimit

Policia e Durrësit ka zbardhur sot skemën e vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiri.  Sipas policisë, gjithçka ka nisur gjatë një kontrolli të policisë në zonën mes Sallmones dhe Katundit Sukth në Durrës për identifikimin e automjeteve me mungesë dokumentacioni dhe shoqërimin e personave me armëmbajtje pa leje.
 

Mësohet se shefi i komisariatit ka qenë i shoqëruar me dy punonjës të tjerë të policisë në një pikë kontrolli dhe gjatë kontrollit të makinës së 17-vjeçarit Ledion Krasnaj është evidentuar mangësi në dokumentacion e makinës së tij,  tip Opel me xhama të zinj dhe vetëm me një targë dhe për këtë është vendosur që 17-vjeçari të shoqërohej në komisariat.
 

Në momentin që 17-vjeçari po shoqërohej në polici ka mbërritur në vendngjarje daja e tij Ilir Xhakja me një makinë tip benz me targa BG 145 HB I cili ka nisur të debatojë me shefin e komisariatit të Shijakut Adem Tahiri.

Debati mes kryekomisarit dhe autorit është nxehur dhe ky i fundit ka nxjerë një pistoletë dhe ka qëlluar 5 herë drejt Tahirit duke e lënë të vdekur në vend. Për pasojë është e plagosur në këmbë edhe një kalimatare e cila është 67-vjeçarja Eleni Ndoka.
 

Sipas policisë më pas Ilir Xhakja së bashku me nipin e tij kanë lënë automjetet në shtëpi dhe janë larguar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie të cilat kanë bërë të mundur rrethimin e zonës ku ndodhej Ilir Xhakja i cili në pamundësi për t`iu larguar policisë është vetëdorëzuar.
 

Gjithashtu policia ka bërë të ditur se gjatë natës ka bërë të mundur edhe arrestimin në Shënavlash të 38-vjeçarit Ilir Krasnaj i cili ishte i dënuar më parë për vrasje ndërsa Ledion Krasnaj, nipi i autorit të vrasjes së kryekomisarit Tahiri është ende në kërkim.
 

Sipas policisë janë sekuestruar arma e krimit, pistoletë tip Gllok dhe një krëhër me 12 fishekë, 5 gëzhoja të pistoletës me të cilën u krye vrasja e Tahirit dhe 6 automjete ku dy prej tyre ishin të blinduara.
 

Gjithashtu policia e Durrësit bën me dije se janë sekuestruar një furgon, një fuoristradë amerikane,2 karikatorë,970 fishekë, dylbi snajperi si dhe 60 fishekë.

Homazhe në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë për Tahirin
Ndërkohë sot në orën 14:30-16:00 në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë do të zhvillohen homazhe për nder të kryekomisarit Adem Tahiri i cili u vra ditën e djeshme në krye të detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›