Vrasja e mjekut, Berisha: Autori të dënohet ashpër
TIRANE- Kryeministri Sali Berisha dënoi sot vrasjen në detyrë të mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, në spitalin rajonal të Durrësit duke e cilësuar atë akt kriminal tejet tronditës.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani tha se Kryeminstri Berisha ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të merren të gjitha masat e duhura për të garantuar jetën e veprimtarinë e punonjësve të shëndetësisë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që ndaj autorit të këtij akti të rëndë kriminal, të japë dënimin më të ashpër ligjor.
Mjeku radiolog u vra me armë zjarri sot paradite në spitalin e qytetit të Durrësit, ndërsa në pranga ka përfunduar autori i krimit. Rreth ores 09:45 minuta, mjeku radiolog Fatmir Thaci 54 vjec ndodhej në spitalin rajonal te qytetit te Durresit në momentet që një person i quajtur Ali Lorja i ka afruar pistoletën në kokë dhe e ka qëlluar disa here duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori pas krimit u vetëdorëzua në polici. Pistat e hetimit flasin për një vrasje me motive të dobëta, ndërsa ngjarja ngjalli panik në ambientet e spitalit të Durrësit.
PS: Vrasja, dëshmon se mjekët janë të pasigurtë
Partia Socialiste e Shqipërisë dënon me ashpërsi vrasjen kriminale të ndodhur sot në spitalin e Durrësit.
“Ngjarja e sotme është dhe një tjetër dëshmi e hidhur mbi pasigurinë e jetës me të cilën përballen mjekët gjatë kryerjes së detyrës së tyre.”- thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Socialiste të lexuar nga zëdhënësja e kësaj partie.
Më tej Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të ndjera për humbjen e jetës së mjekut Fatmir Thaçi dhe i kërkon me forcë Ministrisë se Brendshme dhe asaj të shëndetësisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e jetës së mjekëve.
(s.g/BalkanWeb)