E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e nënës së Elsa Lilës, rigjykim Agos

TIRANË-Gjykata Kushtetuese kthen për rigjykim, Albenc Agon, të akuzuar për vrasjen e Eva Vishajt, nënës së këngëtares Elsa Lila, më maj të vitti 1997.

Sipas Kushtetueses, gjatë gjykimit në shkallët me të ulëta të Gjyqësorit, Agos i është shkelur e drejta për një proces të rregullt ligjor. Në zbatim të vendimit të shpallur dje nga Kushtetuesja, Ago do të rigjykohet në Gjykatën e Apelit, Tiranë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Apelit, Tiranë që i dha Agos, 20 vjet burg dhe vendimi i Gjykatës së Lartë që e nuk pranoi rekursin e këtij vendimi ishin antikushtetues.

“Gjykata vlerëson se procesi i zhvilluar në Gjykatën e Apelit Tiranë ka cenuar të drejtën e kërkuesit për një proces të rregullt ligjor dhe si i tillë, ky vendim duhet të shfuqizohet”, thuhej në vendimin e Kushtetueses". Në të njëjtën formë, Gjykata shprehej edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë.

Në 23 maj, 1997, Eva Vishaj, e ëma e këngëtares Elsa Lila u gjet e pajetë e qëlluar me një plumb në kokë, në aksin rrugor, Tiranë-Elbasan, pranë kilometrit të 29. Pas rihapjes së hetimeve në vitin 2004, Prokuroria akuzoi Albenc Agon për ngjarjen. Më 1 Dhjetor të vitit 2005, Gjykata e Tiranës e shpalli atë fajtor në mungesë dhe e dënoi me 20 vjet burg. Tre vjet më vonë, Ago u ekstradua nga Italia në vendin tonë. Në maj të vitit 2008, Gjykata e Tiranës pranoi rivendosjen në afat. Ndonëse u bë rishqyrtimi i pjesshëm i dosjes, më 17 Dhjetor, 2008, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin me 20 vjet burg ndaj tij. Ago i bëri rekurs këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, por Kolegji Penal vendosi mospranimin e rekursit. Pas këtij momenti, Ago iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të tri shkallëve të gjykimit duke pretenduar se ato janë rrjedhojë e një procesi jo të rregullt gjyqësor.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›