E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e policëve në Kukës, 20 dëshmitarë në favor të akuzës

Nis procesi gjyqësor ndaj Afrim Hasanit, ekzekutorit të dyshuar të dy uniformave blu të Kukësit. Prokurorët kërkuan që i pandehuri të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti

Luan Kondi

Tiranë – Rreth 20 dëshmitarë kanë dhënë deklaratat e tyre në polici në lidhje me krimin ku dyshohet se autor është 34-vjeçari Afrim Hasani. Këto dëshmi duket se do të jenë mjaft të vlefshme për procesin gjyqësor në ngarkim të Hasanit, që akuzohet për vrasjen e dy policëve, Shkëlzen Debrusha dhe Ramadan Hila, pak muaj më parë në Shëmri të Kukësit. Dje prokurorët e çështjes kanë paraqitur kërkesën para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda që të pandehurit Afrim Hasani t’i ofrohet një avokat mbrojtës nga shteti, pasi mungesa e avokatëve të tij kishte shtyrë seancat deri më tani. Kështu në mbrojtje të të pandehurit do të caktohet një avokat nga shteti deri në gjetjen e avokatit nga familjarët e 34-vjeçarit.
Hetimet
Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se më datën 16 mars të vitit 2009, në qendër të fshatit Shëmri Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja, kanë hyrë me forcë në lokalin e Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani, i cili menjëherë sapo ka hyrë në lokal ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. E zonja e lokalit ka komunikuat me efektivat e policisë, Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi duke u kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Hasani, i kishte shkaktuar në lokalin e saj. Menjëherë sapo kanë marrë dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila dhe Ajet Hila kanë dalë në aksin rrugore Kukës-Tiranë, për të bllokuar automjetin me të cilën lëvizte i pandehuri Afrim Hasani.
Ngjarja
Rreth orës 15:15, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip Bens-Mercedes D 240 ngjyrë e kuqe, me targë KR 3778 A ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer, i pandehuri Afrim Hasani. Pas ndalimit të automjetit nga punonjësit e policisë, është konstatuar se në drejtimin e timonit të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila, pronar i mjetit, në sediljen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sediljen e pasme, ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia.
Pasi kanë ndaluar makinën menjëherë, punonjësit e policisë iu kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave, duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit. Në këto momente i pandehuri Hasani ka nisur të konfliktohet me punonjësit e policisë. Në kërkesën për gjykim, prokuroria shpjegon se efektivat kanë vënë në dijeni sallën operative. Në lidhje me këtë ngjarje, policët Ramadan Hila, Shkëlzen Dobrusha kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”. Pas kallëzimit i pandehuri, pasi ka siguruar një armë automatike, konkretisht automatikun tip “AK” me nr 14214879, të cilin siç deklaron dhe vetë, e kishte të fshehur jashtë banese, pasditen e datës 23 mars rreth orës 20:30 ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrusha dhe ka qëlluar dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj me të cilët ishte konfliktuar një javë më parë.

Depërtohej si emigrant i paligjshëm nga Belgjika, kapet në Rinas si i kërkuar

Tiranë – Depërtohet nga Belgjika, arrestohet në Rinas 28-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia. Oficerët e Seksionit të Hetimit në Komisariatin e Policisë në Rinas bënë të mundur dje kapjen e personit në kërkim Artan Dropulli lindur dhe banues në Berat.
Sipas policisë, 28-vjeçare është kthyer me linjën "Adria" nga Belgjika, si shtetas i kthyer kategorisë deportiv. Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS rezultoi se ai ishte person në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Berat me vendimin Penal nr. 285 e ka dënuar me 6-muaj burgim e 400 mije lekë gjobë për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” si dhe të “Falsifikimit të vulave, stampave, formularëve”.

Tentuan të vidhnin një dyqan në Bathore, arrestohen dy të rinj, i treti në kërkim

Tiranë – Tentuan të vjedhin një dyqan, arrestohen të rinjtë. Burime policore thanë se nisën hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorin e tyre. Po sipas tyre, efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 5 arrestuan dje të rinjtë Mariglen Lala, 19-vjeç lindur në Burrel dhe banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje dhe Shefqet Tanushi, 21-vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje. Burime nga policia thanë se arrestimi i tyre u krye pasi në lagjen “Bulçesh”, Bathore, në periferi të Tiranës, në bashkëpunim edhe me një person tjetër ende të pa identifikuar kanë tentuar të vjedhin me thyerje dyqanin e një shtetasi. Sipas policisë, pak pasi u morën në pyetje atyre iu komunikua edhe masa e arrestit për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë, në bashkëpunim”.

Hetimi, depresioni çoi në vetëvrasje policin e burgjeve

Tiranë – “Nga hetimet e para dyshohet se polici i burgjeve vuante nga depresioni gjë e cila mund të ketë shtyrë drejt vetëvrasjes”. Kështu kanë deklaruar ekspertët kriminalistë të policisë së Tiranës. Sipas tyre, një oficer i Policisë së Burgjeve i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armën e shërbimit. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë pranë stacionit elektrik në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë. Guxim Gjecaj ka vrarë veten me pistoletë në banesën e tij. Mësohet se 38-vjeçari me detyrë oficer në burgun e Shën Kollit, Lezhë, është mbyllur në dhomën e tij dhe ka qëlluar veten me pistoletë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Familjarët e tij sapo kanë dëgjuar të zhurmën e pistoletës shkuan menjëherë në dhomë ku gjetën të gjakosur trupin e policit. Menjëherë ata janë përpjekur ti japin ndihmën e parë por ka qenë e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes mbërritën oficerët e policisë së zyrës së vrasjeve pranë policisë së kryeqytetit për të zbardhur rrethanat e këtij vetëflijimi. Burime nga policia thanë se. Ndërkohë që policia tha se po vazhdojnë hetimet dhe janë marrë në pyetje familjarët e të ndjerit për të zbardhur me saktësi shkakun e këtij vetëflijimi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pistoletë tip TT, model 54, një krehër me 6 fishekë pistolete dhe një predhë.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›