Lëkura e qenit e Kongolit në gjuhën esperanto
Një nga romanet më të suksesshëm të shkrimtarit Fatos Kongoli, botohet edhe në gjuhën esperanto. Ditën e martë, Shoqata e Esperantistëve të Podlahisë (Poloni) dhe Shoqata e Esperantistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Institutin e Librit dhe të promocionit Toena organizojnë paraqitjen e romanit Lëkura e qenit në gjuhën esperanto. Romani Lëkura e qenit erdhi për publikun shqiptar, pasi autori kishte botuar më parë tetralogjinë “Burgjet e kujtesës” me romanet: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999) dhe “Ëndrra e Damokleut” (2001). Lëkura e qenit është një histori dashurie e rishfaqur në tri breza, një takim plot pikëpyetje e të panjohura me mijëvjeçarin e ri, një përpjekje për tu çliruar nga dhembjet e së kaluarës. Po a është e mundur të shpëtojmë nga ankthi i hijeve tona? Kongoli përpiqet të futet në skutat më të thella të qenies njerëzore, për të parë çfarë ndodh me të në vetmi, apo në kërkim të një shpirti tjetër që ta plotësojë. Në një botë halucinante, e vetmja shpresë shpëtimi për individin mbetet dashuria njerëzore.