E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e ekonomisë të analizojnë origjinën e pasurisë së një grupi biznesmenësh

Pas luftës, në Kosovë kanë grumbulluar pasuri vetëm disa nga firmat e mëdha. Janë nja dhjetë sosh që e kontrollojnë krejt biznesin. Mjaft biznesmenë që dikur kanë qenë përafërisht me pasuri me këta të sotmit, ose kanë falimentuar, ose janë në falimentim e sipër. Disa biznesmenë kanë mbetur duke e zhilluar veprimtarinë jashtë Kosovës, kryesisht në Shqipëri, për shkak se biznismenët e fuqishëm të sotëm, të lidhur me grupet e “nëntokës”, ua kanë pamundësuar aktivititetin biznisor te ne. Edhe atje nuk janë duke shënuar ndonjë sukses. Më shumë po veprojnë vetëm sa për të mos falimentuar tërësisht. Firmat më të mëdha aktuale, sapo të hetojnë se dikush nga biznismenët e mëdhenj të mëparshëm kanë filluar ta marrin veten, menjëherë reagojnë për t’i bllokuar në këtë drejtim. Gjithmonë kanë sukses në këtë drejtim, pasi e kontrollojnë edhe vetë “nëntokën”, e cila aktivitetin po e zhvillon në sajë të parave të tyre. Edhe “nëntoka”, edhe këta biznesmenë janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. “Nëntoka” i mbështet për të krijuar pasuri, kurse një pjesë të përqindjes nga ai fitim, i kalon kësaj.
Biznesmenët më të mëdhenj i kanë blerë edhe ish-pasuritë shoqërore kryesore të Kosovës. Në to, janë aksionerë edhe disa politikanë. Emrat e tyre nuk figurojnë në kontrata. Ato firmosen nga njerëzit e afërm të tyre, por me mbiemra të tjerë prej politikanëve. Këta e kanë siguruar mbijetësën për familjet e veta. E politikën e zhvillojnë më shumë për t’i mbuluar aksionet që i kanë futur në ndërmarrjet në fjalë. Biznesmenët që janë shkelur prej të mëdhenjve, e që dikur vetë kanë qenë më të mëdhenj se edhe vetë të sotmit, do ta kenë shumë vështirë për ta marrë veten. Sot, nëse tentojnë ta zhvillojnë sado një aktivitet të vogël biznisor, janë të kushtëzuar patjetër të kontaktojnë me ndonjërin nga biznismenët e mëdhenj. Disa nga të dytët, pra të mëdhenjtë, qëndrojnë edhe pas bankave të suksesshme. Nuk dihet vetëm se si u pasuruan kaq shumë!!! Nuk dihet nëse pasuria e krijuar është e tyre, ose operojnë me para të biznismenëve të huaj, qoftë ballkanas, qoftë evropianë. Se nuk është logjike që gjithë pasurinë që kanë, ta kenë grumbulluar me paratë e tyre!!! Kush do të mund të dispononte me gjithë ato para?! Kjo mbetet një pyetje që do të mund ta zbërthenin vetëm ekspertët e ekonomisë.
Dihet vetëm se një pjesë e biznesit të tyre nuk është i pastër, gjë që u sjell pasuri, mirëpo nuk do të mund t’ua siguronte gjitha ato shuma marramendëse parash me të cilat operojnë. Duke u fuqizuar kaq shumë ekonomikisht, këta biznismenë janë bërë edhe përcaktues të disa sferave të tjera të jetës, sidomos të politikës. Ata politikanë që kanë lidhje të forta me ta dhe “nëntokën”, mund të katapultohen në cilindo post që e synojnë. Mund të jenë anonimusë edhe në lagjet e tyre, por biznesmenët dhe “nëntoka”, sa çel e mbyll sytë, mund t’i shndërrojnë në personalitete. Kuptohet, pasi t’i katapultojnë në poste të rëndësishme, duhet t’ua kthejnë shërbimin.
E, kështu, gjithnjë më shumë po instalohet sistemi i “nëntokës” dhe i bisneseve. Ndërsa politika është bërë shërbëtore e tyre, duke e rrezikuar politikën të devalvojë tërësisht. Duke qenë kjo lidhje: biznesi - “nëntoka” - politika, vështirë e kanë të depërtojnë në politikë njerëzit me vlera. Politika duhet ta bëjë këtë shkëputje nga biznesi dhe “nëntoka”. Sepse rrezikon që t’i humbet serioziteti. Të gjithë ata që kuptojnë sadopak nga politika, janë të vetëdijshëm se kur në një post katapultohet jovlera, politika e humb seriozitetin. E, për të ardhmen e Kosovës, është shumë e domososhme që të jetë sa më shumë e mirëfilltë. Sa më shumë serioze. Edhe për aktivitetin e mirëfilltë biznisor është shumë e nevojshme të kontrollohet strikt prejardhja e gjithë kësaj pasurie që e kanë krijuar një grup biznismenësh shumë të mëdhenj, që faktikisht janë alfa e amega e gjithçkajes në Kosovë. Dhe po na "shesin" tash edhe ide se si duhet të veprojmë për ta bërë Kosovën shtet të respektuar në botë!!!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›