E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, ndërtohet pallati i parë pas 19 vitesh

 

BURREL - Nuk ka asgjë për t'u habitur. Prej vitit 1990 e këtej, në qytetin e Burrelit me 18 mijë banorë nuk është ndërtuar asnjë pallat, as nga shteti dhe as nga firmat e ndërtimit. Megjithëse nevojat për strehim vijnë vazhdimisht në rritje, në këtë qytet nuk është ngritur asnjë objekt shumëkatësh. Ndërkohë burime pranë Këshillit të Rregullimit të Territorit Burrel bëjnë të ditur se më në fund firma të njohura ndërtimi, me seli në kryeqytet, i kanë kërkuar bashkisë së qytetit një shesh ndërtimi për të ngritur një pallat 7-katësh në qendër të qytetit, aty ku për shumë vite tregtarët kanë shitur rroba të përdorura. Megjithëse iniciativa është në hapat e parë të implementimit, ditët e fundit bashkia ka larguar me mirëkuptim mbi 100 tregtarë nga mjedisi i mëparshëm dhe i ka sistemuar ato në një treg tjetër privat, me kushte shumë më të mira. Nëntë muaj më parë, kur fare pranë tregut të "Gabit" u dogjën gjashtë shtëpi banimi, banorët hodhën akuza se djegia kishte lidhje me krijimin e lehtësirave për ngritjen e një pallati. Ndërkohë vetëm 10 metra larg këtyre shtëpive të rrënuara, bashkia dhe pronarët e truallit me sa duket kanë rënë dakord për ngritjen e të parit pallat pas kaq shumë vitesh. Qyteti i Burrelit ka aktualisht tre "kulla" 7 katëshe, ndërkohë që gati të gjithë pallatet e tjerë, me tulla apo parafabrikat, janë 5 katësh. Disa janë ndërtuar me kontribut vullnetar të vetë banorëve, ndërkohë shumica nga ish ndërmarrja e ndërtimit që ishte ngritur në këtë qytet. Pas viteve '90, sidomos 4-5 vitet e fundit, ka një lulëzim të dukshëm të objekteve njëkatëshe, të ngritura kudo, në oborret e shkollave, në mjediset sportive, pranë pallateve të banimit, kudo. Tre vjet më parë, bashkia njoftoi se kishte identifikuar 300 objekte pa leje, shembi rreth 90 garazhe dhe shtesa në katet e para, ndërkohë aksioni i ndërtimorëve është harruar. Ndërtimi i pallatit të parë pas 19 vitesh pritet si një sihariq për banorët e Burrelit. Paçka se çmimi i një apartamenti është rritur ndjeshëm, kërkesat për shtëpi të reja vijnë në rritje. Janë emigrantët e zonave rurale që kërkojnë të blejnë shtëpi për prindërit dhe të afërmit në qytetin e Burrelit.             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›