200 kilogramë drogë në kamion, arrestohet shoferi
Një 38-vjeçar është arrestuar dje nga policia, pasi gjatë kontrollit rutinë në kamionin e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 227 kilogramësh hashash e destinuar për në Itali
Ishte duke transportuar mallra për në Itali dhe në pritje të imbarkohej në tragetin e radhës për në Bari, kur policia gjatë një kontrolli rutinë ka zbuluar qeset me hashash të fshehura në pjesët e brendshme të kamionit. Ka qenë rastësia që ka çuar menjëherë në pranga 38-vjeçarin Besnik Yzeiraj, ndërsa ka bërë policinë të kontrollojë imtësisht makinën dhe ngarkesën që ai kishte dhe të nxjerrë prej andej 114 pako me lëndë narkotike.
Arrestimi
Burime nga policia e Durrësit thanë se gjatë kontrollit të makinave që po imbarkoheshin në tragetin e linjës Durrës-Bari, ata kanë vënë re diçka jonormale në kamionin me targa AA 342 BU, dhe kanë vendosur ta kontrollojnë atë imtësisht. Ngjarja ka ndodhur rreth
orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa makina po priste të imbarkohej në traget. Policia është futur brenda saj dhe në pjesët e brendshme fshehur mes objekteve të tjera dhe paketuar e mbështjellë që të mos dallohej kanë gjetur 114 pakot. Burimet të policisë bëjnë të ditur se pasi kanë hapur pakot, ata kanë parë se në to kishte drogë hashash dhe se menjëherë pas kësaj kanë ndaluar shoferin. Në një njoftim për shtyp policia tha se “bëri arrestimin në flagrancë të drejtuesit të kamionit, shtetasit Besnik Yzeiraj 38 vjeç, me banim në zonën e Plazhit në Durrës, pasi në kamionin e drejtuar prej tij u gjet e fshehur sasia e lëndës narkotike”.
Hetimi
Ndërkohë duket se punonjësit e policisë së qytetit bregdetarë nuk janë mjaftuar me sekuestrimine lëndës narkotike. Burime nga kjo polici thanë se janë duke hetuar në dy linja të ndryshme për të zbardhur të plotë skemën. Një drejtim i hetimit është brenda Shqipërisë, për të zbuluar se prej nga vinte narkotiku dhe si e ka siguruar atë i arrestuari. Policia dyshon edhe se shoferi mund të jetë thjeshtë transportues, ndërsa droga i përket dikujt tjetër. Një linjë tjetër hetimi është ajo për të zbardhur personat që e prisnin drogën në Itali. Policia shqiptare do të kërkojë bashkëpunimin e autoriteteve italiane, për të zbardhur se cilët ishin njerëzit ku do të shkonte droga dhe cilët ishin kontaktet e Yzeirajt në shtetin fqinj.