E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e pronarit të autoshkollës, hetohet pista për marrëdhënie jashtëmartesore

TIRANE-Ekzekutohet në mes të kryeqytetit pronari i një autoshkolle. Mëngjesin e djeshëm është qëlluar për vdekje 45-vjeçari Luigj Dukagjini, babai i dy fëmijëve. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pranë rrugës “Hoxha Tahsim”, teksa 45-vjeçari ka qenë duke parkuar makinën e tij para vendit të punës. Sipas policisë, në këtë moment Dukagjini është qëlluar plot 6 herë me pistoletë, por 45-vjeçarin e kanë kapur vetëm 3 plumba, që kanë rezultuar fatalë për jetën e tij. Sipas policisë, pronari i autoshkollës ka marrë një plumb në afërsi të zemrës dhe dy të tjerë pranë brinjëve. Viktima mësohet se ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital për shkak të gjakut që ka humbur.
Ngjarja
Rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të pronarit të një autoshkolle në kryeqytet, duke i marrë atij edhe jetën. Viktima u identifikua si 45-vjeçari Luigj Dukagjini, i cili ishte duke parkuar mjetin e tij në momentin që është qëlluar. Sipas policisë, dyshohet se vrasja mund të jetë bërë me paramendim, duke u nisur nga skena e krimit. Burime nga policia bëjnë me dije se viktima mund të jetë vëzhguar në distancë që nga banesa e tij tek “Kodra e Priftit”, deri në momentin që ka qenë duke parkuar makinën e tij. Sipas policisë, autori i ngjarjes mund të ketë studiuar lëvizjet e Dukagjinit dhe ka gjetur momentin kur ai ka qenë i vetëm dhe i pambrojtur.
Hetimet
Burime nga policia sqarojnë se për vrasjen e 45-vjeçarit Luigj Dukagjini po hetohet në disa pista. Grupi hetimor po heton të kaluarën e 45-vjeçarit, pasi ai ka jetuar për disa vite në Angli, ku nuk dihet ende se çfarë aktiviteti ka kryer dhe nëse ekzekutimi i tij ka lidhje me këtë periudhë të jetës së 45-vjeçarit nga Mamurrasi. Policia nuk ka përjashtuar as pistën e hetimeve për hakmarrje, pasi disa kohë më parë Dukagjinit i kishin vrarë edhe kunatin.

Por pista kryesore e policisë është ajo se 45-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për shkak të motiveve banale. Burime nga policia sqarojnë se dyshohet se pronari i autoshkollës ka qenë i lidhur me një nga femrat që ai e instruktonte për mësimin e makinës, e cila ka qenë e martuar dhe me fëmijë.

Sipas policisë, kjo lidhje jashtëmartesore nga të dy palët është kuptuar nga bashkëshorti i kursantes, i cili pas vuajtjes dhe xhelozisë dyshohet se nuk ka duruar më, por ka vendosur që të ekzekutojë 45-vjeçarin. Grupi hetimor ditën e djeshme ka mundur të identifikojë mjetin e autorëve të vrasjes. Nga hetimet paraprake mësohet se në fugon kanë qenë 2 persona, të cilët janë larguar në drejtim të paditur. Mësohet se policia ka kontrolluar të gjitha hyrje-daljet në këtë aks për të sekuestruar disa kamera sigurie të vendosura nga bizneset, ndërkohë që policia sqaron se është shumë afër identifikimit të autorit të ngjarjes. Mësohet se ditën e djeshme në ambientet e policisë janë shoqëruar në total rreth 13 dëshmitarë okularë, të cilët janë marrë në pyetje për ngjarjen. Mes atyre që janë marrë në pyetje ka qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit, e cila ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni të asnjë konflikti që mund të ketë pasur bashkëshorti i saj.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›