Vrasja, gjyqtari nën akuzë

Prokuroria e Tiranës
U emërua gjyqtar në Tropojë pas përgjimit, dërgohet në Gjykatë i pandehur.
“Sami Ujkashi negocioi për të dënuarin si avokat”
Një gjyqtar i rrethit të Tropojës është dërguar në gjyq me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike. Në datën 9 tetor 2012, dosja penale ndaj gjyqtarit Sami Ujkashi është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e kryeqytetit. Sipas Prokurorisë, gjyqtari i Tropojës akuzohet në lidhje me një episod të ndodhur në qytetin e Durrësit në kohën kur ai ushtronte profesionin e avokatit. Konkretisht, Sami Ujkashi është emëruar gjyqtar në rrethin e Tropojës në datën 21 dhjetor 2010, ndërsa para kësaj date kishte ushtruar profesionin e avokatit në Durrës. Pikërisht gjatë kësaj kohe, teksa Prokuroria e Durrësit përgjonte një grup personash të dyshuar për afera korruptive, ndodhi edhe interceptimi i bisedave ku merrte pjesë dhe gjyqtari i tanishëm Sami Ujkashi. Grupi prej nëntë personash u akuzua nga Prokuroria për disa raste ndërhyrjesh të paligjshme, siç ishte një ndeshje futbolli në Laç, tentativa për lirimin e një të dënuari për vrasje në Shkodër dhe ndërmjetësimi për një leje minerare në Ministrinë e Ekonomisë. Sipas Prokurorisë, dyshohet se gjyqtari Sami Ujkashi është interceptuar në një bisedë kur ishte avokat teksa flitej për një shumë prej 30 mijë eurosh. Dyshimet e Prokurorisë janë se rasti në fjalë lidhet me tratativat që janë zhvilluar në vitin 2010 për lirimin në Apel të një personi që ishte në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes. Ndërkohë që Sami Ujkashi ishte përgjuar në këto biseda, ai nuk kishte qenë në fakt objekt i tyre. Përgjimi kishte ndodhur pasi Ujkashi, asokohe avokat, ka komunikuar me një nga personat që ishte në përgjim nga Njësia Task-Force e Durrësit, e cila më pas arrestoi nëntë persona në lidhje me hetimet e kryera. Ndërkohë avokati i interceptuar në “ndërmjetësim”, në datën 21 dhjetor 2010, me dekret të Presidentit të atëhershëm Bamir Topi, u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë. Dekreti i Topit për këtë emërim mbante numrin 6811. Gjyqtari u betua në detyrë në datën 21 janar 2011 në ambientet e KLD-së në Tiranë. Por ai qëndroi vetëm pesë muaj në detyrën e marrë, pasi në qershor iu hoq imuniteti. Dosja penale ndaj tij, e cila ishte hapur fillimisht në Durrës, u transferua në Tiranë dhe Njësia Task-Force Antikorrupsion kërkoi autorizim për vazhdimin e hetimeve. Kjo pasi i dyshuari tashmë ishte gjyqtar dhe me imunitet, ndaj, si i tillë, nuk mund të kryheshin hetime ndaj tij pa autorizim nga KLD-ja. Në një mbledhje “urgjente”, KLD-ja e drejtuar asokohe nga Kreshnik Spahiu, vendosi t’i heqë imunitetin gjyqtarit Sami Ujkashi, duke i hapur rrugë hetimit nga Prokuroria për akuzën e ngritur, ushtrim i ndikimit të paligjshëm nga personat që kryejnë funksione publike. Në kërkesën drejtuar KLD-së për heqjen e imunitetit të Ujkashit, Prokuroria theksoi se ai ishte regjistruar duke ndërmjetësuar uljen e dënimit të një të akuzuari në Shkodër kundrejt 30 mijë eurove. Nisur nga fakti se Ujkashi ishte emëruar gjyqtar ndërkohë që ishte në hetim, KLD i kërkoi Prokurorisë që të ofronte dosjet e kandidatëve për gjyqtarë që në fillim të procedurës, në mënyrë që emërime të tilla të bllokoheshin.
TRAZHGIM SOKOLAJ