E Diel, 1 Nëntor 2026

Policja rrugore rrihet nga inspektori me targa të huaja

Tiranë, efektivja e Qarkullimit ishte në detyrë kur u godit nga kolegu.

Ngjarja te Rr. Elbasanit, në hetim oficeri i Komisariatit 4.

Një inspektor krim-esh i Komisariatit Nr. 4 të Tiranës është marrë në hetim pasi ka qëlluar me shpullë kolegen e tij, një efektive e Policisë Rrugore, e cila po kryente detyrën në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet.  Incidenti ka ndodhur dy ditë më parë, kur efektivja e Qarkullimit Rrugor, Arta Sh., ka ndaluar për kontroll një automjet me targa të huaja. Makina në fjalë po lëvizte përgjatë rrugës ku oficerja ndodhej me shërbim. Sipas të dhënave, automjeti i ndaluar për kontroll nga policja, i përkiste inspektorit të krimeve, Sami Gjyla, i cili ishte komanduar së fundmi në Komisariatin nr.4. Ai më parë kishte qenë më detyrë në Komisariatin e Kavajës. Gjyla ka ndaluar në momentin që policja rrugore i ka nxjerrë tabelën për shkak se makina ishte me targa të hyaja. Për këtë arsye ajo i ka kërkuar edhe dokumentet e mjetit, për të verifikuar nëse gjithçka ishte në rregull. Inspektori i Policisë fillimisht e ka pyetur nëse e njihte apo jo, pasi ishin kolegë, por nga ana tjetër, policja rrugore nuk ka reaguar, duke i përsëritur që kërkonte dokumentet e makinës nëse i kishte, në të kundërt patentën, ose një dokument që të vërtetonte pozicionin e punës që ai pretendonte. Reagimi i efektives së Qarkullimit, Arta Sh., siç duket e ka irrituar më tepër kolegun e saj, Sami Gjyla, i cili i ka përsëritur se edhe ai është punonjës policie dhe për këtë arsye ka zbritur nga makina. Burime nga Policia thanë se jashtë makinës ka pasur një debat mes tij dhe efektives së Policisë Rrugore, e cila ka lajmëruar sallën e drejtimit për incidentin që po i ndodhte. Ndërsa inspektori Gjyla ka nisur ta fyejë dhe në një moment e ka qëlluar me shpullë, thanë burimet e Policisë. Të njëjtat burime konfirmuan se për këtë veprim ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj punonjësit të Komisariatit Nr. 4, Sami Gjyla. Njëkohësisht ka nisur edhe ecuria disiplinore nga Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se një veprim i tillë, përveç procesit hetimor që ka nisur ndaj tij, autori i incidentit mund të rrezikojë edhe uljen në gradë.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›