E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja me thikë në Kamëz, autori në “burg pa afat”

 TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 18-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Robert Dishmemës, pas konfliktit në rrjetin social në internet “Facebook”. Sipas gjykatës, Bukurosh Muçeku do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Burime pranë seancës sqaruan se gjatë seancës, i pandehuri Muçeku nuk ka shfaqur pretendime. Në përfundim, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për lënien në burg të 18-vjeçarit, të akuzuar për “vrasje me dashje”. Ndërkohë që, pas arrestimit të tij mbrëmjen e së martës, Muçeku pranoi autorësinë e krimit, teksa deklaronte përpara oficerëve të policisë. Ngjarja që përfundoi me vdekjen e Robert Dishmemës ndodhi pesë ditë më parë në zonën e Kamzës. Sipas policisë, për shkak të një zënke, që i kishte fillesat në disa ofendime në faqen e internetit “Facebook”, dy të rinjtë janë përleshur me njëri-tjetrin deri në përdorimin e thikave. Gjatë deklarimeve në polici, 18-vjeçari pohoi se kishte goditur viktimën për të mbrojtur nderin e familjes.                     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›