Merr flakë nga rezistenca, digjet 65-vjeçari i paralizuar në Tiranë
TIRANE - Një 65-vjeçar i paralizuar u dogj i gjallë dje në kryeqytet kur ndodhej pranë një rezistence ngrohëse. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tasim Shehu”, në vendin e njohur si Rruga Ura në Tiranë, pranë ish-shkollës Komunale. Isa Tafa është gjetur pa jetë nga dy vajzat e tij, pasi aty ka mbërritur policia e Komisariatit nr.4, e cila mori njoftim nga fqinjët rreth orës 17:00. Dyshimet e para ishin se Isa Tafa i kishte vënë flakën vetes, duke qenë se vuante nga depresioni, por pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, dhe këqyrjes së kufomës, burime nga grupi hetimor sqaruan se ngjarja ka qenë aksidentale. Sipas policisë, në trupin e kufomës, nuk u gjet gjurmë benzine, apo të ndonjë lënde tjetër djegëse. Të dhënat paraprake nga hetimi flasin për një ngjarje që ka ndodhur kur i moshuari po ngrohej i vetëm me një rezistencë, në një dyqan në oborrin e shtëpisë së tij, të cilin e kishte dhënë me qira. Isa Tafa, jetonte me dy vajzat e tij, njëra prej të cilave e martuar, ndërsa bashkëshortja i kishte vdekur tri vjet më parë. Vajza e tretë jetonte në Itali me bashkëshortin. Fqinjët, të cilët lajmëruan dje policinë, treguan se kanë dyshuar për ngjarjen, vetëm kur kanë ndjerë erën e rëndë që dilte nga dritarja e dyqanit, i cili ndodhet fare pranë rrugës. Viktima dy ditë më parë kishte dalë nga spitali, ku kishte qenë i shtruar për sëmundjen e diabetit, nga e cila vuante prej vitesh. e.d