E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, ndërtuesi i pallateve, i dënuar për përdhunim

Autori i Lajmit: Redaksia

Policia po heton dy pista kryesore në lidhje me vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Spartak Canaj. Ndërkohë që shkon në 20 numri i personave të shoqëruar për vrasjen e 35- vjeçarit, i ekzekutuar dy netë më parë në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”.
Burime jozyrtare pohuan se janë marrë dëshmitë e të gjithë personave që mendohet të kenë dijeni mbi konfliktet e viktimës si dhe të dëshmitarëve.
Pistat
Paraprakisht dy janë pistat kryesore mbi të cilat po punon grupi hetimor. Njëra prej tyre dhe më kryesorja ka lidhje me zbardhjen e të kaluarës së viktimës që mendohet të ketë qenë e implikuar në afera kriminale dhe që sipas prokurorisë ka dyshime se i ekzekutuari ka pasur lidhje me të ashtuquajturin grupi i Yzberishtit, i njohur për një seri grabitjesh dhe ngjarjesh të tjera kriminale në Tiranë. Pista e dytë ka lidhje me blerjen e një sipërfaqjeje toke nga viktima në Yzberisht dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar aty një pallat. Sidoqoftë këto pista janë paraprake, ndërkohë që policia thotë jo zyrtarisht se viktima në 2005 është arrestuar si i akuzuar për përdhunimin e një vajze dhe madje për këtë ngjarje ai ka vuajtur edhe dënimin edhe pse më vonë gjykata ka vendosur dëmshpërblim apo kompensim për burgim të padrejtë, sepse Canaj ka dalë i pafajshëm më vonë.
Ngjarja
35-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt nga një person ende i paidentifikuar. Ai ka qenë duke hipur në makinën e tij “Fiat Punto”, në çastin ku personi ka zbrazur nga arma tip pistoletë katër plumba. Viktima ishte vetëm dhe policia dyshon që edhe vrasësi ka qenë i pashoqëruar nga persona të tjerë. Ekspertët e kriminalistikës pohojnë jozyrtarisht se autori e ka qëlluar për ta vrarë dhe është larguar nga andej i bindur për krimin, ndërkohë që 35-vjeçari ka humbur jetën në duart e mjekëve të Spitalit Ushtarak.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›