E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Bulqizë, hetohet në tre pista

Vazhdon të mbetet i mbuluar me mister krimi i ndodhur ditën e dielë në qytetin e Bulqizës, ku një çift bashkëshortësh u gjetën të vdekur në dhomën e gjumit, ndërsa policia shoqëroi personin që ishte mysafir në shtëpinë e viktimave atë natë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen 'Minatori', ndërsa viktimat janë 29-vjeçari Bledar Bilali e 25-vjeçarja Arjeta Bilali nga Shkodra, të cilët prej 8 muajsh banonin në Bulqizë, ku kishin një biznes në nxjerrjen së kromit. Për hetimin e krimit në Bulqizë kanë mbërritur ekspertë nga Tirana, ndërsa në polici është shoqëruar Olsi Muja, një i afërt i 29 vjeçarit, në cilësinë e dëshmitarit të vetëm okular të ngjarjes.
Policia ushtroi kontroll në banesën e viktimave ku gjetën një pistoletë dhe një kallashnikov.
Sipas burimeve mësohet se hetimi po zhvillohet rreth një konflikti brenda familjes, vrasje për para dhe hakmarrja.
Pista e parë ka në bazë të saj një ngridje mes çiftit Bilali, i cili ka çuar në tragjedinë familjare. Në bazë të kësaj piste, 25 vjeçarja Arjeta Bilali ka vrarë fillimisht bashkëshortin 29 vjeçar dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Ndërsa pista e dytë është e ndërtuar mbi një vrasje nga një person i tretë, për para. Kjo pistë, forcohet nga fakti, se natën e ngjarjes, viktimat kishin në shtëpi një shumë të konsiderueshme parash, më të cilat do paguanin punëtorët.
Pista e tretë, ka qendër hakmarrjen. Kjo pistë është ngritur pas informacioneve, se familja Bilali kishte një konflikt në Shkodër.
Por, duket se diçka nuk shkon sipas rrjedhës logjike në të gjitha këto pista.
Kështu, në atë që mund të lidhet me krimin në familje nuk korespondojnë oraret. Pasi sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të së dielës.
Por, fqinjët e viktimave thonë se krismat janë ndjerë shumë më herët, gjatë orëve të natës të së shtunës.
Në pistën e dytë, vrasjes për para, nga një person i tretë nuk mund të justifikohet prania e mysafirit të familjes Bilali, i cili e kaloi natën në dhomën e viktimave.
Në të njëjtën pikë ngelet edhe pista e tretë.
Teksa shkaqet mbeten ende mister, çifti Bilali do të varroset të hënën në Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›