Korrupsioni, mbyllet hetimi për prokurorin dhe gjyqtaren
Organi i akuzës akuzon ish- gjyqtaren si dhe bashkëshortin për korrupsion, bashkë me katër të tjerë
TIRANË- Prokuroria e Durrësit mbylli hetimin ndaj prokurorit të Durrësit Aleksandër Plepi, i pezulluar nga detyra, bashkëshortes së tij, Marsela Balili, gjyqtare e Gjykatës së Krimeve të Rënda e pezulluar, si dhe gjithashtu ndaj Panajot Dhiamandit, Arben Velikos, Violanda Brakës dhe Besnik Brakës.
Gjyqtarja Balili, sipas prokurorisë, akuzohet për veprën penale të "korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të organeve të drejtësisë, ndërsa bashkëshorti i saj për krimin e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike.
Për të njëjtën krim akuzohet edhe Panajot Dhiamandi, si dhe Violanda Braka, motra e Besnik Brakës, ky i fundit i akuzuar dhe i dënuar për veprën penale të trafikimit të lëndeve narkotike me vendim të formës së prerë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Ai gjithashtu është i akuzuar nga prokuroria për "Korrupsionin aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".
Hetimi i prokurorisë ka nisur, gjatë kohës kur Braka ishte në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Pas hetimit gjyqësor, Gjykata dha vendimin e dënimit të Brakës, për krimin për të cilin ai akuzohej nga prokuroria, me dyshimin se bashkëshorti i Balilit, kishte tentuar të ndikonte tek ajo që vendimi ndaj Brakës të mos përfundonte me dënimin e tij.
Kallëzimi ndaj çiftit të juristëve është dhënë nga motra e Besnik Brakës, Volanda Braka me pretendimin se gjyqtarja e Krimeve të Rënda kishte kërkuar para në këmbim të një dënimi të favorshëm për të vëllain.
Në këto kushte, prokuroria nisi hetimet, duke infiltruar motrën e të akuzuarit për të dërguar paratë, ndërsa me vete i kishin vënë edhe një kamera vëzhgimi, me qëllim që të regjistrohej momenti i dhënies së parave.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, prokuroria ka mbyllur dosjen duke pretenduar se kishte provuar se personat e mësipërm kishin konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv apo pasiv. Heqja e imunitetit të gjyqtares dhe prokurorit, me një debat mes palëve, ku prokurori Plepi dhe bashëshortja e tij, akuzuan KLD-në për veprime të kundraligjshme ndaj tyre.