E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Kurbin, autori: 2 fqinjët më fyen rëndë, ndaj i vrava me kallash

Nuk munda t'i duroja më fyerjet e Luigj dhe Dedë Vukës, të cilët i kisha fqinj prej vitesh, ndaj i vrava". Kështu ka deklaruar para bluve të Kurbinit, 72-vjeçari Ndue Gjini, i cili ekzekutoi xhaxha e nip, në një pritë para banesës së tyre, mbrëmjen e së hënës. Në rrëfimin e tij në ambientet e Komisariatit të Kurbinit, i moshuari nuk e ka mohuar për asnjë moment vrasjen e fqinjëve të tij, ndërsa ka pohuar se shkak ishin bërë fyerjet e vazhdueshme nga ana e viktimave. Paraprakisht policia e Kurbinit dyshon se autori mund të jetë ndihmuar nga një banor tjetër i fshatit, kjo nisur edhe nga mosha. Ndërkaq, shtëpia e 72-vjeçarit vijon të ruhet nga policia për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e familjarëve të 2 viktimave.
RREFIMI
Megjithëse në një moshë të thyer dhe në gjendje të rënduar psikologjike, 72-vjeçari Ndue Gjini ka rrëfyer para bluve motivin e vrasjes së dyfishtë të 31-vjeçarit Dedë Vuka dhe 50-vjeçarit Luigj Vuka. "Kulmi i përplasjes me fqinjët e mi ka qenë para një jave në qendër të fshatit. Ne kemi pasur probleme me pronësinë, pasi na ndante një gardh. Por kurrë nuk kam dashur t'i vras. Kulmi ka arritur një orë para vrasjes, pasi Lugji dhe Deda hynë në lokal dhe filluan të më tallnin. Sjellje të cilën e kishin bërë edhe më parë, por mbrëmë kishte mjaftë njerëz të pranishëm", ka rrëfyer 72-vjeçari. Ai ka treguar se jeton i vetëm, pasi fëmijët janë emigrantë. "Vazhdimisht jam përpjekur të mos konfliktohem me ta, pasi me banesën e viktimave na ndan një gardh dhe nuk doja që fëmijët e mi t'i lija në konflikt. Po nuk munda t'i kapërdija fyerjet e atyre të dyve", u shpreh vrasësi para uniformave blu të Laçit.
HETIMET
Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se Ndue Gjini ka qëlluar me breshëri automatike ndaj dy viktimave, duke zbrazur dy karikatorë me fishekë mbi mjetin që ata udhëtonin. Për pasojë Luigj dhe Dedë Vukaj kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes së ekspertizës së armës së përdorur, policia e Kurbinit ka marrë në pyetje 5 banorë të fshatit, të cilët kanë qënë të pranishëm në kohën kur ka nisur sherri mes viktimave dhe autorit. Mënyrën se si u ka ngritur pritë fqinjëve të tij e ka shpjeguar vetë 72-vjeçari, ndërkohë policia vijon hetimet mbi ngjarjen. Kjo, pasi duke pasur parasysh moshën e autorit, blutë nuk përjashtojnë mundësinë që ai të jetë ndihmuar nga ndonjë person tjetër, pistë në të cilën po hetohet ende. Luigj dhe Dedë Vuka u ekzekutuan mbrëmjen e së hënës para banesës së tyre në fshatin Alk, të komunës Fushë-Kuqe në Kurbin.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›