E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Laprakë e qëllimshme, në fillim nisi si lojë mes miqsh

18/07/2009  Policia: Shpallet në kërkim personi që ka marrë pistoletën

Vdekja e 23-vjeçarit Edvil Koço nuk ka ardhur nga një shkrepje aksidentale e armës, por nga një veprim me dashje i autorit të ngjarjes. Të paktën kështu janë shprehur burimet zyrtare pranë policisë së kryeqytetit, të cilat pas një sërë veprimesh hetimore si dhe nga marrja në pyetje e Donald Pregapucës, kanë arritur në konkluzionin se shtetasi Edvil Koço, është qëlluar qëllimisht me armën e zjarrit tip pistoletë. Grupi hetimore që u ngrit menjëherë pas ngjarjes konstatoi se shkak i këtij krimi të rëndë është bërë një sherr banal midis viktimës dhe autorit. Dy të rinjtë gjatë orës 15:30 mësohet se ishin duke luajtur me tavëll dhe gjatë kësaj kohe kanë shkëmbyer fjalë të ndërsjella, duke tallur njëri-tjetrin. Mirëpo fjalët që në fillim u dukën si humoristike, vazhduan më tej duke bërë që më pas biseda midis dy bashkëmoshatarëve të degjeneronte në sharje dhe ofendime. Në kulmin e lojës së tyre, 22-vjeçari Donald Pregapuca ka nxjerrë armën që e kishte marrë nga një person ende i paidentifikuar dhe në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar në drejtim të shokut të tij. Plumbi e ka kapur viktimën në kokë, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të tij, edhe pse ai u transportua shumë shpejt në Spitalin Ushtarak. Burime pranë grupit hetimor thanë se në vendin e ngjarje ka qenë i pranishëm edhe një shtetas tjetër, që sipas verifikimeve rezulton të jetë 25-vjeçari Arben Basha. Mësohet se pas kryerjes së krimit, ky i fundit ka marrë pistoletën dhe është larguar në drejtim të paditur. Zhdukja e menjëhershme e pistoletës, ka bërë që prokurorët të ngrenë një sërë dyshimesh mbi të, pasi mendohet se me armën e zjarrit mund të jenë kryer edhe vrasje të tjera. Aktualisht agjentët e policisë së kryeqytetit po kryejnë hetime intensive në mënyrë që të lokalizojnë dhe arrestojnë 25-vjeçarin Basha. Kontrollet e kryera në banesën e këtij të fundit kanë qenë negative për policinë, e cila tashmë po kërkon të kërkuarin në disa banesa të miqve dhe shokëve të tij. Ndërkohë policia ka arrestuar 22-vjeçarin Pregapuca dhe ka ngritur ndaj tij akuzën e “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa Arben Basha është shpallur në kërkim.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›