Vrasja ne Mallakaster policia heton ne dy pista
Pas gjetjes së trupave të djegur të 2 bashkëshortëve Myftaraj në Mallakastër Policia e Fierit po punon intensivisht për të zbardhur ngjarjen. Burime jo zyrtare të policisë së Fierit thanë se deri tani janë dy pista të forta hetimi të dyja të bazuara në prova dhe dyshime të forta . Versioni i parë i mundshëm është ai i konfliktit mes bashkëshorteve që përfundon në vrasje dhe vetëvrasje dhe i dyti është versioni i vjedhjes me dhunë dhe armë nga persona të tjerë. Një kasafortë e gjetur në mes të banesës, gjurmë gjaku në oborrin e shtëpisë, dyert e mbyllura dhe zjarri që ka shkrumbuar trupat e pajetë të bashkëshorteve Myftaraj janë elementët që më tepër se po ndihmojnë për zbardhjen e ngjarjes, po e veshin atë me mister. Polica e Fierit që prej mesditës po heton së bashku me grupin hetimor të mbërritur nga Tirana, nën drejtimin e zv/drejtorit të përgjithshëm të policisë Agron Koliqi. Në pritje të ekzaminimit të provave që do të lejojnë policinë të dalë me një version zyrtar përfundimtar, banorët dhe të afërmit e viktimave në fshatin Belishovë flasin për një tentativë grabitjeje që përfundoi në vrasje të dyfishtë. Sipas vëllait të viktimës, Flamur Myftari gjithçka ka ndodhur për t’i marrë bashkëshortëve një shumë të madhe parash që ruanin në kasafortën metalike. Kjo e fundit u gjet në mes të shtëpisë së Enver dhe Azbie Myftaraj. Madje sipas deklarimeve të personave, të cilët nxorreën trupat e viktimave gruaja kishte fytin e prerë si dhe ishte goditur me armë zjarri. Ky version i të afërmve nuk është konfirmuar nga policia e Fierit. Enver dhe Azbie Myftaraj 55 dhe 52 vjeç u gjetën të vrarë dhe të shkrumbuar nga flakët në dyqanin e tyre, që ndodhet ngjitur me shtëpinë në fshatin Belishovë të Mallakastrës.