Vrasja në Mamurras, “arrest me burg” për 2 të akuzuarit

Nën masa të rrepta sigurie është paraqitur në gjykatën e Kurbinit ku i është komunikuar masa e sigurisë autori i vrasjes së ndodhur 3 ditë me parë në Mamurras Vladimir Shkreta. Forca të shumta policie dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë kanë blinduar gjykatën e Laçit, teksa do të jepej masa e sigurisë për 33-vjeçarin Vladimir Shkreta si edhe kushëririn e tij Fabian Shkreta 23 vjeç i cili akuzohet për mos kallzim krimi dhe fshehje të provave.
Gjykata e Kurbinit u ka komunikuar dy të arrestuarve masën e sigurisë “arrest me burg”, dhe janë shoqëruar për në burgun e Shënkollit deri në fillimin e gjykimit. Vladimir Shkreta ka pranuar krimin e kryer, ndërsa më parë kishte deklaruar se nuk kishin patur dijeni se në automjetin e të cilit iu bë pritë kishte patur edhe fëmijë 9 vjeç i cili aksidentalisht mbeti i vdekur në vend nga breshëria e plumbave.
Sipas burimeve nga policia vazhdojnë operacionet për kapjen e autorit tjetër, i cili dyshohet se fshihet në zonën përreth Mamurrasit dhe se nuk është larguar nga rrethi. Policia ka ngritur postoblloqe të shumta për kapjen e autorit tjetër Altin Shkreta, i cili është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë në Lezhe si bashkëpunëtor i ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë.