E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Mamurras, arrestohen autorët

Policia e Lezhës ka bërë të mundur arrestimin e autorëve të vrasjes së dy të rinjve në Mamurras. Sipas policisë autorët e vrasjes së dy të rinjve janë dy kushurinjtë Diamantin dhe Bledar Preçi përkatësisht 26 dhe 23 vjeç të cilët e kanë kryer vrasjen për motive të dobta. Sipas burimeve, bashkë me ta janë ndaluar edhe Rudolf Ndoci dhe Eni Kallamani, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në fshehjen e dy autorëve të krimit.
Arrestimi i tyre është bërë në një nga lagjet periferike të qytetit të Mamurrasit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së djelës kur dy të rinj janë qëlluar për vdekje pranë qytetit të Mamurrasit. Viktima të sulmit me armë mbetën Ersid Rama, 23 vjeç dhe Albert Seiti 27 vjeç. Për pasojë të sulmit ka humbur menjëherë jetën 23-vjeçari Rama, ndërsa Albert Seiti, ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në spitalin ushtarak në Tiranë.

Dy të rinjtë u sulmuan me armë teksa udhëtonin me një autoveturë me targa italiane në drejtim të qytetit. Ishin kalimtarë të rastësishëm ata që gjetën dy të rinjtë e sulmuar me breshëri plumbash.

Ndërkaq, ekspertët kanë gjetur një automatik në makinën e viktimave dhe një pushkë gjysmë automatike afër mjetit të tyre. Mbi këto prova, ekspertët e policisë dyshojnë se dy të rinjtë e sulmuar u janë përgjigjur atentatorëve me armë zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›