Vrasja në Mitrovicë, BE: Hetim të shpejtë
EULEX ka nisur hetimet per zbardhjen e vrasjes se 38 vjecarit shqiptar ne Mitrovice si pasoje e nje shperthimi. Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se është i shokuar me vrasjen e Selver Haradinajt në Mitrovicë.
Isha i shokuar kur dëgjova për shperthimin që e vrau zotin Selver Haradinaj në Mitrovicë, tha Zhbogar në një deklarë për media.
Pasi e ngushëlloi familjen, ai theksoi se ka njohuri se Eulex-i po zhvillon hetime të përbashkëta me autoritetet e Kosovës. Shpresoj se do të kenë sukses shpejt. Njëherësh, apeloj te të gjitha komunitetet, që të mbesin të qetë dhe këtë çështje ta lënë në duart e policisë.
Vrasja
Zëdhënësi i policise se Kosoves, Besim Hoti i ka thënë Radios Evropa e lirë se rasti ka ndodhur rreth orës 01, pas mesnatës, në rrugën Kolashini, përkatësisht në zonën e Tre rrokaqiejve, ku banesa e familjes Haradinaj ishte cak i sulmit, të autorëve ende të panjohur për policinë.
Një 38-vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptare, e ka humbur jetën, si rezultat i sulmit me mjet eksplodues në banesën e tij në veri të Mitrovicës, përkatësisht në zonën e Tre rrokaqiejve, zonë e banuar me popullatë të përzier. Rasti është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja fatale. Ndërsa, besohet se mjeti eksplodues të jetë një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me sasi të 500 gramë të eksplozivit plastik, e cila është vendosur. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalë- ndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhes të familjes Haradinaj, ka konfirmuar Hoti.
Zëdhënësi i Policisë, Hoti, ka theksuar se dëmet nga shpërthimi në shtëpinë e familjes Haradinaj, kanë mundur të jenë shumë më të mëdha, për shkak të sasisë së eksplozivit, por dritaret në shtëpinë, e cila ka qenë cak i sulmit, kanë qenë të blinduara.
Gjithsesi, mënyra, metoda dhe sasia e këtij lloji të eksplozivit që është përdorur, konsiderohet nga ekspertët e Njësisë për identifikim të mjeteve shpërthyese, si sasi e madhe, për të shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke marrë parasysh që xhamat, dritaret e kësaj shtëpie ishin të blinduara, faktikisht të mbyllura, të mbuluara. Të njëjtat janë shkatërruar tërësisht, marrë parasysh fuqinë e shpërthimit, si dhe disa automjete përreth, të cilat kanë qenë të parkuara afër ndërtesës, ka theksuar Hoti.