Vrasja në Shkodër, në kërkim 21-vjeçari
Shkodër- Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e vrasjes së shtetasit Hysni Shpuza në Dobraç të Shkodrës. Sipas policisë ai është Dëshmir Vampiraj, 21-vjeç, nga Shtoji. "Autori është shpallur në kërkim dhe po punohet pë kapjen dhe venien e tij sa më shpejt para ligjit"- thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, 21-vjeçari ka ekzekutuar me armë, Shpuzën, pas një konflikti që kanë pasur mes tyre dy familjet për punë të një krushqie. Madje, ai ka qenë i plagosur edhe më parë për të njëjtin konflikt. Ai ndërroi jetë në mesditë në spitalin e Shkodres, vetëm pak orë pasi u ekzekutua me armë në tregun e Dobraçit. Ngjarja ka ndodhur në tregun e shumicës, pranë me qytetin, kur persona ende të paidentifikuar i kishin zënë pritë dhe e kanë qëlluar me armë. Policia fillimisht bëri me dije vetëm emrin e të plagosurit. “Shtetasi i plagosur është 50-vjeçari Hysni Shpuza, banor në fshatin Shtoj i Ri, i cili u transportua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës”- thanë burimet e policisë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të policisë, për hetime rreth vrasjes dhe ka bërë shoqërimin e dëshmitarëve, për të nxjerrë hollësi rreth ngjarjes.
Viktima iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Shkodrës, por nuk mundi t'i shpëtonte dot vdekjes. Mjekët që në fillim bënë me dije se ai ishte në rrezik serioz për jetën. Ai kishte marrë disa plumba në organet e rëndësishme për jetën.