Omonia: Gjykata, nën presion për të diskriminuar minoritetin
SARANDE - Vasil Bollano reagoi dje nëpërmjet organizatës së drejtuar prej tij "Omonia", në lidhje me vendimin e Gjykatës së Vlorës, që e dënon atë me 6 muaj heqje lirie. Zyra e shtypit e kësaj organizate pohoi dje se Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Vlorë dëshmoi në praktikë paragjykimet e së shkuarës dhe faktin se helenizmi në Shqipëri është nën persekusion të përshkallëzuar. "Ajo vendosi dënimin e kryetarit të "Omonia"-s dhe kryetar i Bashkisë së Himarës, duke përmbushur dëshirat e prokurorit të Vlorës, për të cilin faktohet se është i përfshirë në mekanizma që kanë për objektiv persekutimin e anëtarëve të Komunitetit Etnik Helen. Me këtë vendim të paargumentuar Gjykata dëshmoi se preferon nënshtrimin ndaj mekanizmash të errëta sesa zbatimin qoftë dhe për sy e faqe konceptesh të avancuara për barazi para ligjit për pjesëtarët e komuniteteve etnike". Sipas deklaratës së "Omonia"-s pohohet se, "gjykatat, të cilat ndodhen nën presion strukturash që vazhdojnë të mbizotërohen nga vullnete diskriminimesh dhe tensionesh për minoritetin etnik grek dëshmuan edhe në këtë rast, sikundër dhe me një seri vendimesh të tjera në veçanti për çështje që lidhen me pronësi të komuniteteve helene, se në vend të zbatimit të Konventave dhe Praktikave Europianiste në të cilat Shqipëria bën pjesë, realizojnë verbërisht rekomandime nga e kaluara totalitare". Duke theksuar se helenizmi në Shqipëri është nën persekusion të përshkallëzuar, organizata kërkon jo vetëm regjistrimin dhe përshkrimin e tyre, por edhe masa konkrete dhe vërejtje nga organizatat dhe qeveritë që mbështesin Demokracinë Shqiptare në evolucionin e saj drejt praktikave të zbatimit të ligjit. "I bëjmë thirrje përfaqësimit tonë politik përmes PBDNJ-së të gradualizojë reagimet e saj në mënyrë që të ndërpriten diskriminimet dhe përfundimisht shteti të përparojë sikundër është i detyruar në veprime pozitive, që në të ardhmen do të garantojnë shmangien e persekutimeve në dëm të komunitetit helen në vatrat e tij atërore". sh.d